Deklarata Haradinajt për bashkim kombëtar ka ngjallur reagime të shumta në Serbi. Presidenti Aleksandër Vuçiç nëpërmjet një deklarate për shtyp është shprehur se Serbia do të ketë “një përgjigje adekuate”, në rast të një referendumi për bashkim nga shqiptarët.
“Përgjigja ime është, ju bëni punën tuaj, çfarëdo që dëshironi, dhe ne do të kemi një përgjigje të mirë dhe adekuate, dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen”, ka thënë Vuçiç.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, deklaroi se kërcënimet e fundit në lidhje me krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, janë në gjurmët e shpresave të kota të Haradinajt.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Haradinajt, i cili ka shtuar se nëse Serbia dëshiron të shmangë një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, atëherë duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.