Lëvizja e automjeteve si në hyrje apo dalje të Tiranës tek rrethrrotullimi i quajtur ‘Dogana’ duket se është ende një ‘mision i pamundur’. Dhe pse mbrëmjen e kaluar u hap një nga tunelet për në hyrje të Tiranës që lidh direkt këtë zonë me Rrugën e Durrësit, sërish paraditen e sotme pamjet flasin për një kaos të vërtetë.
Deri më tani janë të lira 3 segmente të lira si në hyrje dhe në dalje, por vazhdimi i punimeve ende të pambyllura në këto akse vështirëson qarkullimin e shpejtë të mjeteve.
Hapja e tuneleve u konsiderua si sukses nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ARRSH, por duket se orët e ankthit dhe stresit për drejtuesit e automjeteve vazhdojnë teksa kalojnë orë të tëra në trafik.
Duke qenë se punimet vazhdojnë edhe pas hapjes së tuneleve, kjo bën që të krijohen rradhë të gjata herë pas here si në hyrje po ashtu edhe në dalje të Tiranës.
Në fillim të pranverës ishte parashikuar përfundimi i një pjese të rëndësishme të projektit të Unazës së Re që do të shërbente për eliminimin e trafikut në hyrje të Tiranës por akoma nuk mund të thuhet se është përfunduar një pjesë e rëndësishme e projektit duke u shkaktuar vonesa dhe shpenzime të mëdha drejtuesve të automjeteve.