Nga Elton Koka
Habia që shoqëroi duartrokitjen e papritur të ambasadores amerikane Yuri Kim në konferencën për prezantimin e raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit, mbase ishte po aq e madhe sa habia nga koha kur dëgjuam kryeministrin Edi Rama të vendosë si ministre Drejtësie një person thuajse anonim në politikë që njihej në publik veç për disa punë teknike dhe asnjë pozicion politik më parë.
Ashtu si atëhere kur teoritë konspirative arrinin kulmin e marrëzisë dhe mosbesimi shtrihej sa andej e këndej në skajet e vendimit të Ramës, edhe dje momenti kur Kim kërkoi një duartrokititje, ishte po aq shtangëse sa të jepte përshtypjen se forca e saj kumboi në veshin e çdo skeptiku, xhelozi, paragjykuesi apo të painformuari.
Qysh në krye të këtyre rreshtave, për një gjë duhet të biem dakort duam apo nuk duam: Amerika nuk duatroket çdo ditë, nuk duartroket kot dhe nuk duartroket individë për të cilët do të pendohej nesër. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një duartrokitje mbi ndonjë gëzim familjar, ndonjë ceremoni martesore apo ndonjë koncert ku shfaqet këngëtari i preferuar.
Jo, bëhet fjalë për një duartrokitje suksesi e cila dikujt i tingëllonte si përplasje duarsh mirënjohjeje, dikujt si triumf për Shqipërinë dhe dikujt tjetër si shuplakë e fortë fytyrës për të gjithë sasinë e baltës së hedhur ndaj ministres së Drejtësisë të cilën e kemi paragjykuar qysh nga dita një kur erdhi si mutacion në këtë racë politike që ishim mësuar të kishim.
Por çfarë ndodhi konkretisht dhe pse kjo duartokitje ndaj Gjonajt duhet lexuar edhe si një mesazh i Shteteve të Bashkuara se kë dëshiron në pushtet pas 30 prillit.
Për herë të dytë në 30 vjet post-komunizëm, duhet thënë se Amerika me apo pa dashje, po i hap qartë “petët e byrekut” ku në konferencën e prezantimit të rezultateve të raportit të GRECO, tha:
“Është në interesin tonë që të kemi një aleat që është në gjendje të bëj pjesën e vet. Ne jemi të përkushtuar ndaj një Shqipërie që do zërë vendin e saj në Europë. Qeveria e Shqipërisë po punon në emër të qytetarëve dhe jo interesave të ngushta”, u shpreh Yuri Kim.
Ajo dha ta kuptuar se, si ndër investitoret kryesore të Reformës në Drejtësi, SHBA do kishte interes që kjo reformë të mos pengohej nga ndonjë ndryshim qeverisjeje më 25 prill.
“Ka pengesa si zyrtarë të korruptuar, poste zyrtare të përdorura për të promovuar palë politike. Korrupsioni është një problem i madh, një mal problemesh në Shqipëri. Ju keni ndoshta një nga punët më të vështira në Shqipëri. Por ju keni treguar vullnet. Dua të japim një duartrokitje për ministren Gjonaj dhe ekipin e saj”, ishte deklarata tjetër pikante e Yuri Kim.
“Shqipëria ka filluar në këtë rrugë hap pas hapi dhe reforma në drejtësi po jep rezultate. Në mars morët dritën jeshile nga BE. Kjo nuk është deklaratë e fitores. Ne kemi prioritet ecurinë e SPAK-ut. Ne presim që të shohim më shumë rezultate”, tha Kim.
Kujtojmë që hera e parë që SHBA mbështetën hapur një rotacion politik në Shqipëri, ishte ai i marsit ’92. Ishte ambasadori Rayerson ai që mbështeti hapur PD-në, pasi bëhej fjalë dhe për një rotacion regjimesh.
Ndërkohë, sot mbështetja kanalizohet ndaj qeverisë “Rama” dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila ka marrë një përkrahje amerikane që nuk fshihet më mes rreshtash por shfaqet publikisht.
Po pse kjo mbështetje ndaj saj në këtë moment? Në fakt këtë pyetje mund ta shtrosh lehtësisht për të kuptuar ndonjë gjë më shumë rreth gjuhës së ligjeve apo reformave që vendosin mbi Shqipërinë e dekadave të ardhshme. Dhe Amerika nuk ka se si të mos thotë fjalën e saj në një vend ku balta bëhet plantacion dhe ku koha për të punuar është e barabartë me kohën që të duhet për t’u mbrojtur nga shigjetat, thikat, shashkat apo plumbat e portaleve.
-Ne mbase mund të harrojmë, por Amerika nuk e fshin nga kujtesa se reforma në drejtësi do ishte “kafshuar” me kohë nëse institucioni i ministrit të Drejtësisë nuk do të kishte mbajtur qëndrime të ftohta dhe koherente në kohë.
-Ne mbase harrojmë, por Amerika nuk e fshin nga kujtesa implementimin e reformës në sistemin penitenciar ku burgjet ishin kthyer në supermarkete, hotele dhe klube të fortësh nga ku përcilleshin porositë për grupet kriminale.
-Ne mbase harrojmë, por Amerika nuk e fshin nga kujtesa se implementimi i sistemit italian “41 bis” për të futur në regjim të “fortët e burgjeve” të lidhur me botën e krimit, kishte nevojë për këllqe dhe jo për llafe.
-Ne mbase harrojmë, por Amerika nuk e fshin nga kujtesa se si për të gjitha këto një ministre i doli përballë “buldozierit” Ilir Meta që dilte me kushtetutë në dorë dhe si ato plakat e këqija mallkonte punën e Drejtësisë.
-Ne mbase harrojmë, por Amerika nuk e fshin nga kujtesa se kush e prishi armëpushimin e gjatë me luftën antikorrupsionit për të vijuar betejat pavarësisht kostove.
Kujtesa e Amerikës është e madhe, mbase aq sa ne nuk mund ta imagjinojmë. Ndaj kumbimi i kësaj duartroktje të madhe brenda asaj salle të vogël në Pallatin e Kongreseve, mbase do jetë dëgjuar deri në Presidencë, deri në “selinë blu”, deri në hapësirën dhe mendjen e çdo makinerie balte.
Gjithësesi, duartrokitjet e punës dhe romuzet e xhelozisë nuk kanë asnjë të përbashkët. Për to mbase do mjaftonte veç lutja: Fali Zot, nuk dinë seç bëjnë!
Të tjerat le t’ja lemë historisë e cila fatmirësisht po shkruhet me duartrokitije.