Pas shmangies së pyetjeve nga gazetarët në lidhje me ngjarjen tragjike të Fierit dhe nismat e ministrisë që drejton në mbrojtje të fëmijëve, ka ardhur reagimi në rrjetet sociale i ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Fëmijëve Bora Muzhaqi.
Duke kërkuar ndjesë për keqkuptimin në përgjigjen e saj ajo thotë se është e prekur nga tragjedia e Fierit, por shton se detyra e saj janë angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet dhe nuk mund të japë opinion ppr fusha të tjera specifike.
“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat mu gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk mu duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat mu drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtpërdrejt. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time”, shkruan Muzhaqi.