Ilir Meta i është përgjigjur Lulzim Bashës.
Përmes zëdhënësit të tij, Presidenti Ilir Meta thotë se Basha s’duhet t’i ikë përgjegjësive.
“Keqardhje që z.Lulzim Basha vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur. Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:
1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
3. Djegia e mandateve të deputetëve;
4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
që sollën kapjen totale të shtetit. Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë”, lexohet në postimin e Blushit në rrjetin social.
“Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99. Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET! Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shtoi zëdhënësi i Metës.