Një fëmijë është përplasur për vdekje nga një skaf mesditën e kësaj të marte në Himarë.
Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Potamit.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia. Kjo nuk është hera e parë gjatë kësaj periudhe që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish, në gjendje të rëndë. Një tjetër rast i rrezikshëm ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut.