Deputeti i qarkut të Korçës Ilir Topi është shndërruar në objekt humori nisur nga indiferenca e tij karshi problematikave të zonës që përfaqëson dhe në raport me premtimet që vetë ka bërë.
Zona e tij elektorale ka hartuar edhe një letër satirike ku ai tregon se pse nuk është kujtuar pasi ka marrë mandatin e deputetit.
Letra e plotë
Pas publikimit të apelit të devollinjëve, “Deputeti i humbur” shkroi një letër të cilën po e postojmë të plotë siç na i nisi.
Të dashur devollinj!
U njoha me shqetësimin tuaj që më kishit shpallur të humbur dhe vendosa të reagoj sa më shpejt pasi e di që jeni merakosur. Është e vërtetë që kam humbur disi por unë besoj fort tek shprehja e urtë popullore e krahinës sonë: Rrallë dhe për mall!
Me këtë dua t’ju them se qysh pas 25 prillit, më ka marrë malli vërtet shumë. Kam parë që keni punuar nëpër toka dhe bravo ju qoftë, jam krenar për ju, për atë tokë të begatë që nxjerr veç prodhime të mira ku toka i prodhon në fund të verës dhe lumi i merr në fund të dimrit. Po ç’t’i bëjmë, këto i ka jeta dhe këto i ka kjo politikë e mallkuar që më ka lodhur aq shumë duke menduar ditë e natë e natë e ditë vetëm për ju, për fëmijët tuaj, për djemtë e vajzat e asaj krahine që më mbushin me shpresë.
Të dashur devollinj!
Nuk e di se ku do t’i bëni pushimet, por do t’ju sugjeroja që mos lëviznit nga tokat tuaja të cilat kanë nevojë për juve. Edhe unë po të kisha toka aty do qëndroja po për fat të keq nuk kam dhe do të degdisem këtej nga jugu i Shqipërisë ku ky plazh i shpifur me gurë nuk ka të krahasuar me dheun e butë të Devollit. Gjithësesi, këtu poshtë shezllonit në jug kam marrë një magnetofon dhe dëgjoj këngën “O Devoll i bukur” të Endri Fifos, lexoj poezitë e ish kolegut tim Dritëro Agolli si dhe nuhas ca plisa dhe që i kam marrë në Trestenik. Me to shuaj mallin që kam për ju!
Populli im i dashur!
Sesioni i fundit parlamentar ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe me gjasa s’kam më kohë për të folur për ju. Më vjen kaq inat sepse e kisha lënë për në fund, ndaj nuk kisha folur gjithë vitin për juve se po prisja rastin më të mirë që të shpalos ato 1001 halle që e di që i keni.
Gjithësesi as ju dhe as unë s’duhet të mërzitemi, kemi edhe 3 vite të tjera përpara dhe unë natyrisht që për ju do të flas, për ju o miq, o vëllezër, o motra o bashkëqytetarë e bashkëfshatarë të nderuar.
E di që ju prisni shumë prej meje por unë e kam vërtetuar që shumë jap pasi siç e keni parë jam shumë aktiv, pavarësisht se ju më shpallët gabimisht të humbur.
Dëshiroj që të jeni mirë o devollinj të mirë sepse jeta është e bukur kur di ta jetosh. Mos e prishni terezinë as për qepët, as për mollët, as për qershitë, as për dardhat, as për grurin… Për të gjitha këto vetëm mos e humbi besimin sepse 1 ditë puna juaj do të shpërblehet. Në mos këtë vit, vitin tjetër. Nëse ndjeheni të pashpresë zgjidhjen gjejeni tek besimi, sepse edhe unë aty shkoj.
E di që nga monitorimet e parlamentit unë rezultoj si një ndër ata më pak aktivët, por ama unë besoj shumë tek shprehja që “fjalët e shumta janë fukarallëk”, andaj mos u mërzisni kur ju merr malli dhe nuk më shikoni në televizor. Diku duhet të jetë ndonjë poster fushate, besoj se aq ju mjafton për të shuajtur mallin.
Po e mbyll këtë letër se ju keni punë por edhe unë kam ca se siç ju thashë kam kaluar një sesion parlamentar veç duke menduar për ju dhe tani në marrje të pushimeve dua të vazhdoj të punoj me të njëjtin intensitet se s’dua t’u bëj topin halleve tuaja.
Ju pres në Tiranë në shtator,
I juaji përjetë,
Deputeti i humbur…