Zgjedhjet vendore në Kosovë panë humbjen e disa prej qyteteve kryesore nga Vetëvendosja e kryeministrit Albin Kurti.
Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia e ka pranuar humbjen në këto zgjedhje, duke thënë në konferencë për shtyp se thënë se tashmë Prishtina e ka kryetarin e ri, Përparim Ramën.
“Prishtina tashmë e ka një kryetar të ri, dhe ai është Përparim Rama. Prishtinës i dëshiroj sukses dhe të gjitha të mirat. Personalisht unë dhe VV-ja do të jemi krahë në çdo proces që është në interesin e qytetarëve”.
Rama ka marrë 40.658 vota, në përqindje 51.07%. Ndërsa, Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje ka 48.93% për qind të votave, 38958 në total.
Humbje për VV edhe në Prizren, kandidati i PDK Shaqir Totaj fitoi duke arritur 51,01% ndaj atij të VV Myhater Haskuka, me 48.99%.
Në Gjakovë, kandidati i AAK Ardian Gjini fitoi bindshëm me 56.06% ndaj Mimoza Kusari Lila të VV, me 43.94%.
Ndërkohë në Gjilan, kandidati i VV Alban Hyseni fiton me 51.03% të votave ndaj kandidatit të PDK Lutfi Haziri, me 48, 97%.
Në Podujevë, kandidati i Vetëvendosjes Shpëtim Bulliqi fiton me 51.84% kundër atij të LDK-së Ekrem Hyseni, me 48,16 % të votave.
Në Malishevë, kandidati i Nismës ku Ekrem Kastrati fiton me 53,19% ndaj kandidatit të PDK, Isni Kilaj, që u ndal në 46.81%.
Qendrat e votimit në Kosovë, ku u mbajt raundi i dytë të zgjedhjeve lokale, u mbyllën në orën 19:00. Procesi u zhvillua në mënyrë të kënaqshme gjatë gjithë ditës, në 575 qendrat rreth vendit, ku sipas KQZ votoi 37.85% të votuesve.
Mbi 1.2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, në balotazhin e 14 nëntorit, ku do të zgjidhen kryetarët e 21 komunave. Partia që garoi në numrin më të madh të komunave ishte Lëvizja Vetëvendosje me 12 të tilla. Lidhja Demokratike e Kosovës garoi në 9 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 8, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5. Në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.