Vendi i përzgjedhur nga autorët e ekzekutimit të dyfishtë mbrëmjen e së shtunës në zonën e Unazës së Re në Tiranë ka qenë i përllogaritur mirë. Rrugë pa ndriçim për shkak të punimeve që po kryhen, mundësitë e shumta të largimit nga Tirana dhe distanca relativisht e largët me kamerat e sigurisë së bizneseve të zonës kanë favorizuar autorët.
Burime pohojnë se grupi hetimor dyshon se në këtë atenat kanë marrë pjesë të paktën gjashtë persona me dy automjete të ndryshme. Në automjetin tip “Toyota”, që rezulton i vjedhur në Greqi dhe me targa të vjedhura në Tiranë që në muajin korrik, dyshohet se kanë udhëtuar autorët.
Nga rindërtimi i deritanishëm i dinamikës së ngjarjes, personat që kanë shkrepur armët kanë qenë dy, ku njëri ka shënjestruar Erigers Mihasin, 32-vjeçari që ndodhej në timon dhe tjetri Armand Dumanin, që ndodhej në sediljen e pasme të Audit.
Që të dy autorët kanë qenë të armatosur me Kallashanikov dhe pas sulmit mendohet se kanë dalë në anë të kundër të rrugës, në pjesën e Unazës që të çon në drejtim të ish-Sheshit Shqiponja, ku kanë hipur me shpejtësi në mjetin Toyota, që drejtohej nga një person i tretë dhe janë larguar po me shpejtësi në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës. Mjeti tip Toyota u gjet më vonë i djegur në zonën e Thumanës, së bashku me dy armët kallashnikov që dyshohet se u përdorën në këtë sulm.
Një makinë e dytë
Thuajse në të njëjtën kohë kur është larguar mjeti tip Toyota me drejtim ish-Sheshin Shqiponja, një tjetër makinë është larguar po me shpejtësi në drejtim të kundërta, pra në drejtim të Pallatit me Shigjeta. Kjo konfirmohet edhe nga dëshmitarë të vendngjarjes.
Atentati ka ndodhur fiks në zonën ku është ende në ndërtim një nënkalim i Unazës së Madhe. Punimet prej muajsh kanë shkaktuar trafik të dendur rrugor në këtë zonë, por fakti që sulmi është kryer në fundjavë dhe për më tepër në një orar pa shumë qarkullim, i ka ndihmuar autorët që të gjejnë rrugët e lira dhe të largohen.
Makina e dytë dyshohet se është larguar me shpejtësi në drejtim të Liqenit Artificial dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë vijuar rrugën në drejtim të Elbasanit. Kjo ka qenë arsyeja se përse policia ngriti një postbllok në hyrje të këtij qyteti, ku kontrolloi me radhë të gjitha mjetet.
Në këtë automjet mendohet se kanë udhëtuar tre persona të tjerë, që në atentat kanë pasur rolin e informatorit, ndërsa dyshohet se edhe mund të kenë përdorur mjetin e tyre për të ngadalësuar e ndaluar “Audin” me të cilin udhëtonin dy viktimat.
Për këtë arsye, grupi hetimor ka marrë pamjet e të gjitha kamerave të sigurisë së bizneseve të vendosura në këtë zonë, në përpjekje për të mësuar se automjeti misterioz, që dyshohet se është larguar në drejtim të Elbasanit ka qenë pjesë e atentatit, apo thjesht qytetarë që në panik nga të shtënat e kallashnikovit janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Pistat e hetimit
Pyetjet që po mundohen t’i japë përgjigje grupi hetimor janë disa. Së pari, hetimet janë përqëndruar në përpjekjen për të kuptuar se kush ishte objektiv i sulmit. A ishte 32-vjeçari Erigers Mihasi, i sapokthyer nga Gjermania? Ishte 26-vjeçari Armand Dumani, apo ishin që të dy? Nga dinamika paraprake e sulmit pista ku po anohet më shumë është se në shënjestër të autorëve kanë qenë të dy personat.
Hetimet nuk ndihmohen nga precedentët penalë të të dy viktimave në të shkuarën, të dyshuar e akuzuar si të përfshirë në një sërë ngjarjesh të tjera të bujshme në të shkuarën, si në rastin e Mihasit, që në qershor të vitit të kaluar u shpall në kërkim pas aksionit të policisë që sekuestroi një arsenal të madh armësh në zonën e Yzberishit.
Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me aktivitetin e Mihasit në Gjermani. Për këtë arsye, grupi hetimor pritet që në këtë hetim të kërkojë edhe ndihmën e autoriteteve gjermane. Ka një dyshim jo edhe aq të zbehtë në lidhje me këtë pistë, ku dyshohet se atentati mund të ketë nisur që nga Gjermania.
Kjo pistë përforcohet nga fakti se Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe thuhet se ishte i kujdesshëm gjatë lëvizjeve, madje edhe duke ndryshuar automjetet. Këtij qëllimi mendohet se mund t’i ketë shërbyer edhe Audi i blerë së fundmi në qytetin e Lezhës.