Deputetja socialiste Etilda Gjonaj ka folur për ndihmën që Kuvendi i Shqipërisë po jep për Kosovën me një sërë iniciativash konkrete.
Ligjvënësja e majtë njëherësh kryetare e gruas në PS bëri me dije se:
“Ashtu siç bëmë me propozimin nga maxhoranca të kësaj rezolute për të kundërshtuar gjetjet e propozuara dhe të supozuara nga raporti i Dick Marty. Ne do vazhdojmë ta mbështesim Kosovsën, sic kemi bërë më herët, në Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave, në Këshillin e Europës si anëtar me të drejta të plota, ashtu si me anëtarësimin në NATO dhe struktura të tjera ndërkombëtare.
Si pjesë e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, shpresoj fort se angazhimi i përbashkët edhe me përfaqësuesit e PD-së, për të ndjekur rezolutën e sotme për raportin e Dick Marty do të arrijë rezultatet e dëshiruara ashtu sic shpresoj fort që mbështetja jonë dhe puna bashkarisht me delegacionin e Kosovës do të japi rezultat sa më shpejt në anëtarësimin e saj me të drejta të plota në Këshillin e Europës”, tha Gjonaj.
Një pjesë nga fjala e ish ministres së Drejtësisë:
“Më lejoni që në këto orë të vona të seancës plenare, të kësaj seance të fundit, të ndalem në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.
Data 19 Korrik do të shënohet si një ditë historike, ku avancimi drejt familjes europiane u bë i prekshëm me vendimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë. Puna për këtë moment ka filluar vite më parë, ku ushtrimi i përvitshëm në pritje të datës së Konferencës së Parë ka dhënë mundësinë që të kemi funksional grupin negociator, të ketë një metodologji të punës për procesin, të kryhen analiza paraprake të kuadrit ligjor, të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen më shpejt për të plotësuar kriteret e kuadrit negociator.
Por është e vërtetë, u përmend dhe nga disa kolegë në pjesën e parë të seancës. Procesi i ri që fillon tashmë ka shumë sfida përpara dhe kërkon jo vetëm vullnetin politik të qeverisë dhe maxhorancës, por edhe të të gjithë klasës politike. Ashtu sic kërkon edhe shumë përpjekje konkrete të përbashkëta në politika, në strategji, në plane pune, në masa, në kuadrin legjislativ si edhe në mbështetje buxhetore.
Por për të garantuar sigurinë dhe paqen në rajon duhet që kjo perspektivë europiane të përfshijë të gjitha vendet e rajonit. Lidhur me pikën e parë të rendit të kësaj seance, pikën më të rëndësishme, është e pafalshme që Kosova është i vetmi vend sot për sot që leviz me viza në vendet e bashkimit europian. Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave pas kalimit tashmë dhe të 4 viteve nga raporti i Komisionit Europian ku përcaktohet qartësisht plotësimi i kritereve paraprake”, tha Gjonaj.