Çfarë është publike dhe çfarë është private?
Kjo është një dilemë e madhe që e shoqëron shqiptarin prej startit të tranzicionit plot 30 vite më parë.Deri atëherë me një pronë shtetërore ku përgjegjës ishin të gjithë dhe askush,të paktën territori në mjediset e banimit,ishte I përbashkët dhe menaxhohej sipas mënyrave të kohës por të organizuara dhe mirëdrejtuara deri diku edhe me frikën e reagimit të autoritetit të shtetit.
Pastrimi,mirëmbajtja,rregullimi në rast dëmtimi apo edhe planifikimi,projektimi edhe prishja,ishin të rregulluara ndërmjet ndërmarrjeve të ndryshme komunale,trupave vullnetare apo edhe mbikqyrësve të detyruar prej organizmave lokalë të kohës,si Fronti I Lagjes etj.
Të gjitha këto kishin një centralizim të padiskutueshëm por edhe krijonin kuadrin e duhur për të mos lejuar shkelje dhe për të garantuar edhe disiplinimin e banorëve të ndryshëm të blloqeve të caktuara të banimit.Mirë apo keq ky nuk është qëllimi I këtij shkrimi,qëllimi është një tjetër.
Banorët kishin atëhere një hapësirë të përbashkët për ta shfrytëzuar për qëllime kryesisht çlodhëse,për argëtimin e fëmijëve dhe kalimin e kohës së lirë.
Ata duhet të shfaqnin minimalisht një interest ë dukshëm në pastrimin,sistemimin e përjavshëm dhe të tjerat I merrte përsipër shteti.Ajo që garantohej në këtë skemë ishte një vend I sigurt kryesisht për fëmijët për të kaluar disa orë mes pallateve të pashqetësuar nga asgjë,mes tyre dhe të ruajtur nga çdo lloj problemi apo rreziku.
Në atë kohë ishin të minimizuara të tilla ngjarje për fëmijët si shtypja nga makina apo krimet e ndryshme pasi duke qënë një vend I izoluar të tilla gjëra ishin minimale.
Nga ana tjetër edhe aspekti estetik i këtyre blloqeve të banimit ishte me i mirë për shkak se çdo gjë ishte e organizuar dhe e mirëpërcaktuar.Në një formë tjetër këto sheshe që rrethoheshin nga blloqet e banimit ishin edhe fshehja e mirë e strehimeve nëntokësore që lidheshin me njëri tjetrin dhe supozohej të shërbenin për mbrojtjen kundërajrore të këtyre banorëve në rast sulmesh.
Por kjo është një histori tjetër.Me ardhjen e demokracisë dhe të shpërbërjes së regjimit të shkuar në shumë prej këtyre blloqeve në kryeqytet por edhe kudo tjetër mbizotëroi fillimisht kaosi dhe më i forti.Strehimet u zaptuan dhe u kthyen në depo prvate magazinimi mallrash,apo sheshet u zunë dhe u kthyen në sheshe ndërtimi.Me dokumenta mjaft të dyshimta kohë pas kohe u legalizuan ndërtime pa leje dhe merr fund historia e hapësirave të përbashkëta,madje ndërtimet mund të jenë të tilla që u zënë frymën dhe dritën ndërtimeve egzistuese duke i bërë thuajse të pabanueshme objektet e dikurshme pallate banimi.
Katet e para të shndërruara kryesisht në dyqane apo lokale zaptuan edhe ato hapësirën e përbashkët me tavolina karrike apo mall të ekspozuar për tu shitur.
Në shumë forma dhe vende të tjera të fortë të lagjeve i kanë kthyer në parkime private kundrejt pagesës dhe shteti bën sehir duke mos ndërhyrë.Kjo është thuajse situata në Tiranë dhe në qytetet e mëdha.Interesant është fakti se në qytete provinciale,thuajse të pandryshuar që nga vitet e ndërtimit të tyre,këto mjedise të përbashkëta jo vetëm mirëmbahen por edhe vijojnë të funksionojnë me qëllimin e dikurshëm për të cilin janë ndërtuar.
Në Gramsh përshembull ku më ka rënë rasti të jem së fundmi,befasohesh nga rregulli që mbizotëron në mjediset e përbashkëta mes pallateve të banimit,ku blloqe të tëra banimi rrethohen nga mjedise të gjelbëruara,stola të ruajtur mirë për tu ulur,kosha plehrash e deri te mjete gjimnastikore siç ka qënë tradita e dikurshme.Në këto mjedise sheh pa fund fëmijë të luajnë dhe të kenë jetë sociale me njëri tjetrin.
Kjo jetë sociale e zhvilluar pa fund para viteve 90 sot mungon.Fëmijët sot nuk arrijnë të dalin për të luajtur si dikur poshtë pallateve me njëri tjetrin dhe me tu kthyer nga kopështi apo shkolla mbyllen brenda mureve të shtëpive sepse është rrezik të shfrytëzojnë mjediset e mbetura bosh.Padyshim që nga njëra anë frika e tyre dhe e prindërve është e përligjur,por nga ana tjetër edhe ata janë vetë fajtorë për situatën e krijuar,prindërit apo të rriturit e kam fjalën.Sepse në rradhë të parë mendojnë shumë ngushtë,vetëm për të patur një parkim për makinën sa më pranë dhe nuk mendojnë në asnjë rast për fëmijët që duhet të kenë një jetë sociale edhe aty ku jetojnë.
Nëse banorët do të refuzonin situatën e krijuar dhe do të kërkonin diçka tjetër padyshim që edhe planet e Bashkisë në ndërhyrjet e tyrë nëpër blloqet e banimit do të parashikonin më shumë mjedise të tilla të përbashkëta se sa vende parkimi.
Ndoshta kjo do të ndikonte edhe në ndërmarrjen e nismave më të mëdha publike si krijimi i parkimeve nën apo mbitokësore aty ku lejon hapësira e përbashkët.
Të menaxhuara nga ndërmarrjet e bashkisë dhe me kosto minimale për banorët,po ku te jetë i garantuar parkimi pa prekur hapësirën argëtuese dhe ku të ketë edhe vende shtesë të cilat mund të shfrytëzohen kundrejt pagesës pë rata që nuk janë banorë dhe duan të parkojnë apo për banorët që kanë më shumë se një mjet.
Nëse parkimi është nëntokësor dhe me disa kate atëhere pjesa e sipërme mund të garantohet për fëmijët dhe të moshuarit,siç është rasti I parkimit në rrugën e Elbasanit nën këndin e dikurshëm të lojërave.
Nëse do të jetë me konstruksion metalik disa katësh atëhere gjendet në katin e poshtëm hapësira pa lidhje me hyrje daljen e makinave për të ruajtur sigurinë e fëmijëve.
Të tillë shembuj janë të shumtë dhe mund të realizohen,ajo që është vendimtare ne këtë mes rezulton gatishmëria e banorëve për tu organizuar dhe për të qëndruar pas një iniciative të tillë sepse vetëm kështu do të mund të binden strukturat përkatëse për të reaguar dhe negociuar me ta.Rasti i njësisë bashkiake nr 2 në kryeqytet ku gazetari Noljan Lole i mbështetur nga Lëviz Albania arriti të vërë në lëvizje drejtuesit e minibashkisë tregon se gjëra të tilla mund të realizohen.
Pasi evidentoi dhjetra sheshe të braktisura,të zaptuara dhe të degraduara brenda njësisë,ai realizoi një album fotografik dhe ja dorëzoi drejtuesit të njesisë bashkiake 2 Florian Pullazi,I cili nga ana e tij u zotua se do të merren parasysh kërkesat e komunitetit gjatë rikualifikimit urban të kësaj njesie Bashkiake.Vetëm me aktivizëm dhe me angazhim qytetar mund të përmirësohet jetesa brenda blloqeve të banimit në Tiranë dhe kudo.