Në bulevardin kryesor të Tiranës nuk vërehen më fëmijë apo nëna që i mbajnë në krahë dhe që shtrijnë duart drejt kalimtarëve. Duket sikur lypja nuk i përket metropolit shqiptar. Por larg bulevardit kryesor, në akse të tjera që të çojnë drejt qendrës, fëmijët që shfrytëzohen për qëllime ekonomike ndeshen në hyrje të zonës së Laprakës, në zonën e Shkozës në rrugën e Elbasanit apo pranë zonës së 21 dhjetorit.
“Në një mënyrë apo një tjetër, në mos për lypje, duke shpërndarë paketa apo cd me këngë shqiptare”, këmbëngul D., fëmija që u rrit në rrugë dhe që vrapon mbas makinave sapo ato ngjeshen në trafikun e rënduar.
Teksa disa fushata policore në vite të ndryshme “i pastruan” rrugët kryesore, një vendim i pothuajse tre viteve më parë i këshillit bashkiak e shpalli kërkimin e lëmoshës si kundravajtje kundër moralit publik duke e kthyer në një vepër të dënueshme me gjobë deri në 20 mijë lekë të reja.
Por hetimi I prindërve që i nxjerrin minorenët në rrugë dhe ngritja e akuzave ndaj tyre për keqtrajtim të të miturit u duk se ishte një nga mënyrat që sensibilizoi më tepër se çdo fushatë tjetër familjet në nevojë ekstreme ekonomike që nuk i shfrytëzojnë më krejt hapur fëmijët. Në një rast autoritetet gjyqësore në Tiranë ndërhynë dhe ja larguan nga përgjegjësia prindërve dy fëmijët nën moshë që u dërguan për kujdes social në një qendër shtetërore. Por, mëgjithëse përpjekjet për të minimizuar kërkimin e lëmoshës kryhen kryesisht nga policia bashkiake që largon nga rruga të rritur dhe të mitur që lypin dhe pastrojnë xhama, frenimimi i këtij fenomeni duket i pamundur për t’u minimizuar.
Nga ana tjetër, policia e Shtetit pranon se prej vitesh ka lindur një trend i ri, i lypësit shëtitës, që është fëmijë apo i rritur i cili zhvendoset në sezonin e muajve të verës në qytetet bregdetare, vecanërisht Durrës, Vlorë dhe Sarandë, por edhe në Pogradec e Korçë, ndërkohë që më të organizuarit lëvizin drejt Kosovës, një fenomen që po ndodh prej gati 10 vitesh tanimë.
Rasti që gazeta ndoqi në gjykatë dhe që u kthye çështje penale është historia e një gruaje që u ndihmua me mbështetje sociale, por ajo këmbënguli se nuk i mjaftonte “lëmosha” që i jepte shteti ndaj dhe pastronte kazanët në kërkim të kanaçeve.
“Ndërkohë fëmijët lypnin për një copë bukë”, deklaroi gruaja përpara gjykatësit i cili, kur e shpalli fajtore, radhiti disa shkaqe, mes tyre edhe fenomenin e lypjes në Shqipëri të konfirmuar nga gjykata si një shqetësim social.
“Kërkoj mëshirë nga gjykata, ndihem thellësisht e penduar për veprimet e kryera nga ana ime dhe premtoj se nuk të përsëris më veprime të tilla në të ardhshmen. Mëshirë”.
Deklarata dhe lutja i takon një gruaje të moshës 44 vjeçe, nënë e katër fëmijëve pak çaste përpara se gjykata të tërhiqej për t’u shprehur me vendim.
R.D. u akuzua se kishte dëmtuar katër fëmijët e vegjël , më i madhi 16 vjeç duke mos i lejuar të shkonin në shkollë e duke i nxjerrë ata për të lypur. Faktet që e vunë në lëvizje prokurorinë erdhën nga specialistja e terrenit në qendrën komunitare të terrenit të bashkisë së Tiranës. Sipas prokurorisë në fillim të janarit të këtij viti, punonjësja me inicialet K.H u ankua në komisariatin numër katër.
“Përpara supermarketit R.L në zonën e nëntëkatësheve, konstatova të pandehurën R.D. e cila kishte nxjerrë për të lypur fëmijët e saj të mitur. Nga shërbimi social i njësisë administrative numër 4, ky rast është ndjekur në vazhdimësi, mbasi gruaja ka përfituar ndihmë ekonomike dhe merr ndihma ushqimore shpesh”, përmend në kallzim punonjësja.
Njëkohësisht prokuroria tha në gjykatë sipas burimeve të bashkisë që përfaqësuan padinë se “nga ana e punonjëses sociale janë dorëzuar dhe disa fotografi që provojnë faktin që ka deklaruar”.
Nëna e katër fëmijëve
“Është e vërtetë që i kam nxjerrë për të lypur fëmijët e mi por jam në vështirësi ekonomike. Kam fëmijë dhe duhet të mbledh bidona dhe kanaçe për t’i rritur ata ndryshe nuk ja dal dot”, tha përpara gjykatës nëna e katër fëmijëve.
Në dënimin e R.D gjykatësi theksoi se për masën e dënimit po mbante parasysh vlerësimin dhe shqetësimin e prokurorisë së kryeqytetit, nga njëra anë rrezikshmërinë e ulët të nënës së katër fëmijëve, kërkesën e saj për gjykim të shkurtuar dhe mungesën e rrethanave rënduese dhe varfërinë e gruas. Por njëkohësisht gjykatësi çmoi se për dënimin e nënës së katër fëmijëve u ndikua edhe nga fakti që kjo vepër penale, pra shtyrja e fëmijëve për të lypur është shumë e përhapur. Megjithatë për t’u qëndruar pranë fëmijëve, gjykatësi vlerësoi dënimin e R.D. me 4 muaj burgim duke e vënë në provë për tetë muaj me kushtin që gruaja të paraqitet rregullisht në Shërbimin e Provës për përmbushjen e detyrimeve, mes tyre edhe gjetja e një pune.(SI)