Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Elbasan kandidatët e Partisë Socialiste për këtë qark, ndërsa nuk ka kursyer as ironitë me kandidatët e kundërshtarëve politikë në zgjedhjet e 25 prillit.
Një prej tyre edhe Dashnor Sula, i cili është i katërti në listën e PD për Elbasanin. Rama tha se Dash Sula, “pikën më impresionuese të karrierës së vet e ka patur si huligan në stadiumin e Peqinit”.
“E kam të pamundur të mos flas për një tjetër personazh, Dash Sula, është kthyer vetë Dash Sula. I cili pikën më impresionuese të karrierës së vet e ka patur huligan në stadiumin e peqinit. Për ata që s’lidhin dot emrin me figurën, ju kujtoj imazhin që ka bërë xhirron e botës në Youtube, me Dash Sulën që hidhet si larskë me pistoletë për të kapur arbitrin. Me Dash Sulën fiton Shqipëria, sipas PD-së. Kanë ca kandidatë që janë hata fare, dhe një nga ata është Dash Sula. Merre me mend ç’mund të sjellë Dash Sula në Shqipërinë e shekullit 21”, tha Rama.