Në një klimë dyshimesh, se shumë policë përdorin drogë, pak pasi mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, urdhëroi kryerjen e testit antidrogë te të dyshuarit.
Procesi delikat i vetting-ut të drogës në polici, që iu besua laboratorit privat Intermedica, shkoi keq që në fillim.
Të rezultuarit pozitë nga Intermedica, po shpallen negativë nga laboratorët shtetërorë.
Shtatë muaj pas testimit të parë statistikat flasin vetëm për një të përjashtuar nga radhët e policisë dhe dhjetëra kontestime, që kanë rrëzuar rezultatet e laboratorit privat Intermedica të Vasil Llajos, për të cilin ka qindra denoncime për analiza jo të sakta që nga grupi i gjakut.
Një pjesë madje kanë përfunduar edhe në gjykatë.
Nga ana tjetër, emra të përfolur si përdorues droge në të vërtetë nuk dolën përdorues dhe madje në celularët e tyre nuk mbërriti telefonata e beftë, që i urdhëronte për testin e drogës.
Të konsideruar “pozitivë të rremë”, dhjetëra efektivë rezultuan pozitivë ndaj testit të drogës. Pjesa më e madhe ishin nën kurim për probleme shëndetësore, si diabeti, tensioni apo sëmundje të tjera, duke u kthyer shpejt në një problem serioz për drejtoritë vendore të policisë.
Zyrtarisht, nga datat 22 nëntor 2021 deri në fund të muajit prill, u testuan, nëse janë apo jo përdorues droge 1935 efektivë policie.
Prej këtyre 45 policë kanë rezultuar pozitivë, pra përdorues droge.
Por, pavarësisht kësaj shifre, mëson se deri më tani është përjashtuar vetëm një punonjëse policie.
“Ajo i përket Drejtorisë vendore të Elbasanit”, – thotë zyrtarisht policia.
Efektivja me inicialet A. P., mbante gradën e inspektores dhe ishte pjesë e policisë së Elbasanit prej katër vitesh.
Policja e re rezultoi e varur nga droga e llojit kokainë, ndaj nuk u paraqit në Komisionin e Disiplinës dhe as e kundërshtoi rezultatin, duke u përjashtuar automatikisht.
Por, pjesa më e madhe e efektivëve nuk e kanë pranuar rezultatin dhe e kanë ankimuar atë.
Rrëzohen analizat e Intermedica
Rezultatet e laboratorit privat Intermedica u bënë të goditshme gjyqësisht dhe nuk morën formën e provës, pasi u refuzuan nga pothuajse të gjithë “pozitivët”.
“Nuk mund ta pranoja një rezultat të tillë, ndaj e ankimova. Pas kësaj iu nënshtrova testit të dytë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe dola i pastër, ashtu edhe siç jam në të vërtetë, por ama dëmi u bë. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë stresi më ka shkaktuar testi pozitiv nga laboratori privat”, thotë inspektori 56-vjeçar. (INA)