Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi Këshillin Kombëtar, ku po diskutohen mënyrat për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit, pas vendimit të “Apelit” i cili “zhbëri” vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke bërë që “vula” e PD-së t’i mbetet Alibeajt.
Sipas burimeve, bëhet me dije se në mbledhjen e Këshillit po diskutohen dy skenarë për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Varianti i parë që po diskutohet dhe që ka më shumë mbështetje është ai i përsëritjes së metodës 6 Marsit 2022, kur kandidatët demokratë dolën nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” së bashku me LSI-në e asaj kohë, sot Partia e Lirisë.
Ndërkohë është edhe një variant i dytë që është hedhur për diskutim, por që gëzon mbështetje më të vogël mes anëtarëve të Këshillit.
Ky variant parashikon që kandidatët për kryebashkiakë të opozitës të dalin si të pavarur në zgjedhje dhe të mbështeten nga forcat opozitare.
Kujtojmë se Berisha e quajti vendimin e gjykatës për “vulën” e PD-së si një përpjekje të Edi Ramës për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet.
Sipas asaj që Berisha tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, revolucioni paqësor do të vijojë deri në fitoren e plotë dhe largimin e Ramës nga pushteti.