Rezultati i pritshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim është një nga çështjet më të debatueshme lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Analisti Baton Haxhiu thotë se LSI ka pasur humbje të elektoratit vitet e fundit.
Z. Haxhiu theksoi se dy arsyet kryesore që kanë sjellë rënien e elektoratit të LSI janë djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale.
Ndërsa analisti Andi Bushati duke shprehur mos besim për sondazhet tha se është e pamundur që PS të rritet pas 8 vite në pushtet dhe partitë opozitare të humbin vota. Ai tha se sondazhet që nxjerrin PS fituese po bëhen për të krijuar alibi për vjedhjen e votave.
“Rama është kthyer në një klloun me çantë vaksinash në dorë se nuk ka asnjë arritje. Është aq dobët Edi Rama sa të mendosh që i ikin votat një partie opozitare dhe i shkojnë qeverisë është absurditet. Sondazhet po bëhen si alibi për të justifikuar masakrën dhe vjedhjen e votave nga Rama”, tha z. Bushati.about:blank
Baton Haxhiu argumentoi se një pjesë e votave që ka humbur LSI kanë shkuar tek PD ndërsa një pjesë tjetër tek PS.
Sipas Haxhiut nëse opozita do të kishte ndjekur rrugën radikale apo revolucionare, sjella e elektoratit sot do të ishte ndryshe.
“Nëse LSI dhe PD me djegien e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje ta kishin vazhduar idenë revolucionare situata do të ishte ndryshe”, deklaroi ai.
Në këtë pikë ra dakord dhe Andi Bushati duke thënë se në Shqipëri do të kishte ndodhur ajo që ndodhi me zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.