Sekretarja e Përgjithshme e RCC në Konferencën Ministrore të Procesit të Berlinit: Ne jemi krenar që kemi nxitur dhe mbajtur së bashku me EU NEAR, organizatat rajonale, IFI dhe partnerë të tjerë barrën e rëndë të procesit që përgatit Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal
“Nesër gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë Planin e ri të Veprimit për këtë rajon – Tregun e Përbashkët Rajonal. Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është një risi që nis nga zeroja: është një plan i shkëlqyer, i bazuar në katër liritë, i njëjtë me Tregun e vetëm të BE-së, me investime, digjitale, në industri dhe inovacion. Ne jemi krenar që kemi nxitur dhe mbajtur së bashku me EU NEAR, organizatat rajonale, IFI-të dhe partnerë të tjerë barrën e rëndë të këtij procesi. Por, qeveritë do të duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre për të vënë në zbatim këtë plan”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, të mbajtur sot në kuadër të Procesit të Berlinit.
TREGU I PËRBASHKËT RAJONAL “factsheet”
BP nuk është një rajon i përsosur. Papunësia, situata ekonomike, ikja e trurit, të rinjtë që largohen nga vendet tona janë realiteti shqetësues i BP. 20 vjet më parë shumë njerëz që kërkonin azil prej luftës u kthyen pas në shtëpi. Sot 71% e të rinjve të Ballkanit Perëndimor mendojnë të shkojnë për të punuar jashtë vendit ndërsa 43% e tyre janë gati të largohen në kërkim të shpresës së humbur. Rritja rajonale parashikohet të bjerë në -5.1%. Rënia e PBB-së në tremujorin e dytë të këtij viti është goditëse, në disa raste deri në -20%, kryesisht për shkak të kolapsit në turizëm.
“Në këtë mjedis, nuk është e lehtë të përparosh, prandaj nuk duhet ta ndërlikojmë më shumë jetën tonë, por të krijojmë shansin për t`i bërë vetë propozimet, për të ngritur ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Politika e përqendruar tek kufijtë dhe mosmarrëveshjet nuk do ta bëjë BP më të pasur. Unë shpresoj se Tregu i Përbashkët Rajonal do të miratohet dhe zbatohet në mënyrë të tillë që të sigurojë një integrim më të thellë ekonomik të rajonit. Nëse ndodh kështu, fitimet do të shpërndahen gjerësisht”, përfundoi Bregu.
Takimi ministror u mirëprit nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe bashkë-kryesuar nga Ekaterina Zaharieva, Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Bujar Osmani, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Mblodhën ministrat e jashtëm të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e BE-së dhe përfaqësuesit e organizatave ndërqeveritare. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmesën në integrimin e BP6 (6 vendeve të Ballkanit Perëndimor) në Bashkimin Evropian. U prezantua për herë të parë në 28 Gusht 2014-ën nga Kancelarja gjermane Angela Merkel. Këtë vit Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut po mbajnë Kryesinë e përbashkët mbi Procesin e Berlinit.
Tregu i Përbashkët Rajonal vazhdon me rezultatet e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA) që u miratua në Trieste 3 vjet më parë, kur udhëheqësit e BP6 ranë dakord t’i jepnin një shans këtij rajoni të ndërtonte zonën e vet ekonomike duke mundësuar lëvizjen e papenguar të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore të aftësuar, duke e bërë rajonin tërheqës dhe të përshtatshëm për investime. REA hapi rrugën përmes një historiku të përzier të historive të suksesit. Tani ne paguajmë deri në 96% më pak tarifa roaming në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe nga korriku i 2021-shit këto tarifa do të jenë 0. Rritja e tregtisë së mallrave me 25% dhe FDI (Investimet e huaja) janë rritur me 35% që nga viti 2016. Më shumë informacion.
Samiti i Sofjes mbledh nesër Kryeministrat e Procesit të Berlinit, ku do të miratohet Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Konkluzionet e Takimit Ministror për Integrimin e Romëve. Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu do të flasë në fillim të sesionit zyrtar, së bashku me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe Olivér Várhelyi, Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.