Sondazhet online në rrjetet sociale vijojnë të rrisin prezencën e tyre duke u shndërruar në një mjet të dobishëm për të kuptuar çfarë po ndodh politikisht me fushatën elektorale dhe qasjen e kandidatëve.
Pavarësisht se industria e sondazheve mund të vuajë disa pasoja, ajo nuk do të zhduket për shkak të formave alternative në platformat online ku qytetarët kanë akses të drejtpërdrejtë.
Edhe pse ndonjëherë është vështirë të parashikojnë atë që do të ndodhë më pas, apo sesi njerëzit do të ndryshojnë qëndrimet e tyre, sërish ngel një indikator i rëndësishëm në procesin organizativ të fushatave elektorale.
Një prej sondazheve të fundit është ai në qytetin e Korçës, ku Niko Peleshi duket se ka zbehur mbështetjen e tij.
Faqja e njohur “Bulevardi i Korçës” me një numër ndjekësish që arrin mbi 50.000 njerëz, shpalli një votim elektronik ku vuri ballë njëri-tjetrit Niko Peleshin si përfaqësues të mazhorancës dhe Endrit Brahimllarin si përfaqësues të opozitës. Sondazhi u hap më datë 6 shkurt dhe ka përfunduar sot.
Në votim kanë marrë pjesë 5 mijë qytetarë ku 2200 persona kanë zgjedhur Peleshin si deputet, ndërsa 2800 kanë votuar Brahimllarin.
Sfida në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 Prillit pritet të jetë e vështirë pasi Niko Peleshi, drejtues politik i PS në atë qark do të ketë përball nga njëra anë Edmond Spahon e PD i cili mbështetet edhe nga Ervin Salianji dhe nga ana tjetër aleatët e PD, LSI-në që kryesohet me Brahimllarin.
Në zgjedhjet e 2017 Partia Socialiste ishte maxhorancë edhe në Korçë me një numër të lartë votuesish.
Ndërsa mbetet për tu parë se si do të jetë në këto zgjedhje duke qenë se popullariteti i Peleshit ka rënë ndjeshëm në zonat e Devollit dhe fshatrat e Korçës për shkak të mungesës së vëmendjes gjatë kohës kur shërbente si minister Bujqësie dhe pjesa më e madhe e fermerëve detyrohej të hidhte produktet në ujërat e lumit “Devoll”.
Gjithësesi duhen parë anketimet e radhës, jetojmë në Shqipëri dhe këtu kur vjen fjala të politika mund të ndodhë gjithçka.
