Deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi ka deklaruar procesin e përzgjedhjes së emrit kandidat për presidentin e ri të Republikës.
“Të 74 deputetëve të Partisë Socialiste do t’u shpërndahet një letër me zarf në të cilin duhet të shkruajnë tre emra si kandidatë të mundshëm që ata mendojnë për të qenë president i Republikës. Në fund këto do dorëzohen në një komision të posaçëm që do nxjerrë rezultatin se cili emër rezulton më i preferuari. Mbi bazën e këtij rezultati pritet të bëhet edhe përzgjedhja e emrit zyrtar”, tha Pëllumbi i ftuar në emisionin “Dekalog”.
Sipas tij, nga ajo që ka kuptuar është se gjasat më të mëdha janë që presidenti i ri të jetë nga radhët e Partisë Socialiste.
Një ditë më parë, i pyetur po për të njëjtën çështje, kryeministri Edi Rama nuk përcaktoi identikitin e Presidentit të ardhshëm, por tha shkurt se ai apo ajo do të jenë e kundërta e figurës që ka përçuar në presidencë, Ilir Meta.
Pas vitit 1990 janë zgjedhur gjashtë presidentë. Tre janë zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Bamir Topi dhe Bujar Nishani, Alfred Moisiu ka qenë konsensual, një nga radhët e Partisë Socialiste, Rexhep Meidani, dhe një nga LSI Ilir Meta.