Kur qeveria është angazhuar publikisht për të mos e bërë publike kontratën firmosur me kompaninë “Pfizer” të vaksinave anti-Covid19, në media janë publikuar detaje nga marrëveshja.
Lidhur mes “Pfizer Export B.V” në Holandë dhe Ministrive të Shëndetësisë e Kujdesit Social dhe asaj të Shtetit për Rindërtimin si dhe Institutit të Shëndetit Publik, kontrata prej 52 faqesh përcakton sasinë, kostot por dhe kushtet që duhet të plotësojë qeveria shqiptare.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje konfidenciale, qeveria shqiptare ka blerë te “Pfizer”-i për muajin janar 10 mijë e 530 doza, duke paguar për një vaksinë 12 dollarë.
Kontrata zbulon edhe planin e ardhjes së 30 mijë e 420 vaksinave në shkurt ndërsa në vjeshtë dhe dimër 458 mijë e 640 të tjerave.
Sipas “Gogo” në total qeveria shqiptare ka nënshkruar me “Pfizer” blerjen e 499 mijë e 590 vaksinave.
Totali i parave që duhet të paguajmë? Rreth 6 milionë dollarë.
Sipas kontratës qeveria shqiptare do të paguajë paraprakisht brenda 30 ditëve nga marrja e faturës 2.997.540 dollarë (rreth 3 milionë dollarë).