Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është thirrur në prokurori për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjet që paraprinë vrasjen e Pjerin Xhuvanit në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
ABC News raporton se hetimi tashmë përfshin edhe Bardhin. Prokurorët Ritvan Sukaj dhe Platin Aliçka kanë zgjeruar rrethin e personave që do të merren në pyetje, dhe shton se pritet që prokuroria të marrë në pyetje Bardhin, si personi kyç që ka dijeni për ngjarjen.
Deputeti Gazment Bardhi asokohe ishte kryesuesi i listës së Elbasanit dhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në kohën që drejtohej nga Basha. Kryetari i PD, Sali Berisha e akuzon prej javësh Bardhin dhe Bashën se kanë gisht në vrasjen e Xhuvanit në Elbasan.
Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit?
Më 21 prill 2021, rreth orës 14:00, disa ish-policë dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan automjetin e Mehmet Grejsit pasi sipas PD ishte duke shpërndarë lekë dhe duke blerë vota në lagjen “5 maji” në Elbasan.
Bllokimi i makinës u bë përmes dhunës nga një grup i cili më pas u identifikua dhe rezultoi se bënte pjesë në “SMV”-të e ngritura nga Gazment Bardhi. Këto “SMV”, u njohën si Struktura për Mbrojtjen e Votës, që ishin caktuar për të mbrojtur votën.
Përplasja e dhunshme solli plagosjen e 4 personave dhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun.
Në kërkim është edhe “Kel çami” i njohur si Kelmend Xhaferraj, ndërsa ajo që nuk dihet është kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë.
Nga pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera ka rezultuar se Paplekaj qëlloi Pjerin Xhuvanin dhe efektiven e Shqiponjave Xhensila Sota.