Mbrëmjen e sotme një 39-vjeçar shqiptar u ekzekutua në qendër të Athinës.
Sipas mediave greke, viktima ishte i ulur në një lokal pranë sheshit Atiki, kur në drejtim të tij u qëllua armë zjarri.
Mësohet se një person ende i paidentifikuar shkoi tek lokali, që ndodhet në rrugën 104 Liosion dhe e qëlloi viktimën duke e lënë fillimisht të plagosur, raporton gazeta Drita.
Ndonëse u transportua drejt spitalit, bëhet me dije se ai nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Nga të dhënat e para, ai mësohet se kishte marrë një plumb në kokë.
E gjithë ngjarja solli panik në zonë. Forca të shumta policie shkuan në vendin e ngjarjes, ashtu sikurse edhe ambulanca që transportoi drejt spitalit 39-vjeçarin.
Mediat greke njoftojnë se viktima kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithatë deri më tani identiteti i tij nuk është bërë publik, përcjell gazeta Drita.
Ngjarja dyshohet se ishte një atentat i mirëorganizuar ku kanë marrë pjesë disa persona.
Në mediat greke ka po ashtu raportime se viktima ishte pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Pritet që më shumë detaje për ngjarjen autoritetet greke të kenë nga dëshmitë e personave të shumtë që ndodheshin në zonë, në momentin kur ndodhi krimi. Gazeta Drita përcjell më poshtë disa pamje nga vendi ku u krye vrasja.