Qeveria do të reflektojë si vendim propozimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve që kërkon që administrata publike të punojë nga shtëpia.
Sinjali është dhënë nga Kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të marte, pak orë pasi Komiteti Teknik propozoi masa shtrënguese dhe mbyllje nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se administrata publike do të punojë nga shtëpia duke filluar prej ditës së mërkurë, datë 11 nëntor. Përjashtim do të bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve ndaj qytetarëve në funksione ku është e pamundur puna në distancë, por duke zbatuar protokollet e sigurisë.
Në vendimin e Komitetit Teknik për të ashpërsuar masat shtrënguese për kufizimin e përhapjes së Covid propozohet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të lëvizjeve për arsye pune, shëndetësore, apo nevoja të domosdoshme.
Gjithashtu, po në këtë fashë orare në të gjithë vendin do të mbyllen baret dhe restorantet me përjashtim të shërbimit taksi.
Komiteti thotë se do të vlerësojë çdo javë situatën epidemiologjike, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e ashpërsimit të masave shtrënguese. Megjithatë, në çdo skenar, Komiteti përjashton rikthimin e një karantine totale, të ngjashme me atë të pranverës.