Sulmi më i mirë i kampionatit, mbrojtja më e mirë, një seri prej 5 fitoresh dhe një barazimi në 6 ndeshjet e fundit. Tirana ka kredencialet më të besueshme në luftën për titullin kampion. Kryesim i kampionatit dhe një diferencë prej 6 pikësh me ndjekësit më të afërt Laçin, që me një ritëm fantastik po duket i vetmi nga rivalët për të mbajtur ritmin e bardhebluve, me Vllazninë që në një hendek prej 13 pikësh është distancuar nga gara për kreun.
Ndaj Skënderbeut ishte një fitore e çmuar, me konfirmimin e dellit krijues, në shenjë Seferi, gjithmonë e më lider i kësaj skuadre, njëkohësisht kryegolashënues i kampionatit në kuotën e 11 finalizimeve, Limaj që pasuron thesarin e një mesfushori me golin e tij të katërt në kampionat, dhe afrimi i merkatos së dimrit Devid që konfirmon se vlen me golin e parë me fanellën bardheblu.
Në mes edhe shumë raste të tjera, me rezultatin 3-0 që në minutën e 50-të fliste për një ndeshje të mbyllur. Megjithatë, gjithmonë ka një por, dhe në këtë takim, Orges Shehi do të ketë mbajtur shënim golat e pësuar. Skënderbeu pati meritën që tentoi deri në fund dhe shënoi dy herë në portën e kryeqytetasve, diçka që nuk ndodhte në kampionat prej plot 10 ndeshjesh, që nga fundi i nëntorit kur mundeshin 2-1 nga Kukësi.
Edhe pse goli i dytë i korçarëve erdhi në limitin e ndeshjes, për Tiranën e portretizuar si kandidaten kryesore për titullin, dy gola të pësuar janë shumë, ndoshta edhe për të rritur oreksin e rivalëve si Laçi.