Pedagogia e Drejtësisë Fjoralba Caka ka prezantuar disa nga detajet e projektit të prezantuar ditën e sotme në Tiranë ku synohet analizimi i tipareve të kulturës gjyqësore në Shqipëri e më gjerë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo shkruan se:
“Kultura gjyqësore është përkufizuar nga John Bell si “tërësia e tipareve që i japin formë mënyrës në të cilën kryhet dhe vlerësohet puna e gjyqtarit brenda sistemeve të veçanta ligjore.”
Studiues të ndryshëm janë përpjekjur ta përpunojnë më tej këtë term dhe te identifikojne tipare të tij, pasi ky nocion cilësohet si i vështirë për tu përkufizuar në mënyrë përfundimtare dhe nuk mund të flitet ende për paradigma apo modele të kulturës gjyqësore.
Megjithatë, bashkë me dy kolegë shumë të mirë nga rajoni @Denis Preshova dhe @ Tanasije Marinković, me mbështetjen e organizatave Qendra ALTRI (Shqiperi), Institute for Democracy ‘Societas Civilis’ Skopje(Maqedoni e Veriut) dhe @CEPRIS (Serbi) kemi ndërmarrë një projekt për të analizuar tiparet e kulturës gjyqësore në vendet tona”, nënvizon Caka duke shtuar se:
Jam e lumtur që në procesin e deri tanishëm të hulumtimit, krahas dokumenteve arkivore, analizës së kuadrit ligjor dhe praktikës gjyqësore, kemi mundur të vjelim edhe mendimet e gjyqtarëve si edhe ekspertëve më të mirë në fushën e së drejtës në Shqipëri.
Vijimi i bashkëpunimit me këta aktorë është i rëndësishëm për të pasur një tablo sa më të plotë për tiparet e kulturës gjyqësore, jo vetëm nga këndvështrimi i jashtëm i akademikut, por edhe nga llupa e agjentëve që janë zhvillues të së drejtës dhe të vet kulturës gjyqësore në vend.
Kërkimi i tipareve të kulturës gjyqësore është një projekt ndër-disiplinor sa ambicioz aq edhe i bukur dhe me anë të këtij studimi urojmë të mund të sjellim diçka me vlerë në hartën e studimeve juridike shqiptare.
Nje nga aktivitetet e radhes u mbajt ne Tirane ku fokus ishte diskutimet mbi rolin e gjyqtarit ne zhvillimin e ligjit si edhe vetqeverisja e gjyqesorit.
Aktivitete te tjera ne vijim do te zhvillohen edhe ne vendet fqinje ku do te kemi mundesi te mesojme nga praktikat me te mira dhe te nxjerrim mesime atje ku ka patur deshtime.
Faleminderit ALTRI dhe organizatave të tjera që më besuan ketë rol të rëndësishëm në kërkimin e tyre shkencor”, nënvizon Caka.