Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka paralajmëruar të tjera arrestime të zyrtarëve në nivel ministror. Ai u shpreh mbrëmjen e sotme në një intervistë në “ News 24” se të gjithë këta zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë “që SPAK i merr për zverku” akuzohen për vepra penale.
Sipas tij kryeministri Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi morale deri në dorëheqje, pasi shumë ministra i ka në burg.
Pyetje: Heshtjen e qeverisë si e lexoni?
Braho: Indiferencë e stisur dhe e pështirë, por tregon edhe një kokfortësi kapricoze që “shteti jam unë”. Raporti i DASH është i padiskutueshëm. Nuk ka klientë DASH. Me mënyrë të pavarur dhe mjetet e tij, konkluzionet e DASH janë të padiskutueshme.
Lefter Alla, Fatos Tushe, Artur Bushi, janë disa zyrtarë që kanë kaluar pragun e SPAK.
Braho: Është edhe Vangjush Dako. të tërë në një rresht janë. Ajo që bën përshtypje është se thuhet për këta titullarët edhe të PS edhe Rama që kanë përgjegjësi personale. këta kanë përgjegjësi penale jo morale, këta që i merr SPAK për zverku dhe i mban atje ose i thërret në hetim, akuzohen penalisht. Ndërsa përgjegjësinë morale e kanë strukturat që i emërojnë. Si ka mundësi u bënë tërë këta ministra në burg, do hyjnë edhe të tjerë, tërë këta kryetarë bashkie.
Rama ka përgjegjësi morale që shkon deri në dorëheqje. Ty çereku i qeverisë të ka rënë brenda dhe nuk mban përgjegjësi ti dhe mbaka përgjegjësi Ahmetaj. Duhet të mbajë përgjegjësi”, tha ndër të tjera Spartak Braho.