Shqipëria po përdor një politikë të re ekonomike për të joshur të huajt që të vijnë dhe të investojnë e jetojnë në vendin tonë.
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një ligj për “Të huajt” që u ofron shtetasve të vendeve të tjera ta kenë më të lehtë pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri.
Sipas këtij ligji, miratohet në mënyrë të menjëhershme leja e qëndrimit për pensionistët që kanë të ardhura deri në 1.2 milionë lekë në vit, për sipërmarrësit që investojnë me hapjen e një biznesi dhe për blerësit e pasurive të patundshme në Shqipëri.
Profesori i ekonomisë Arben Malaj u shpreh për Tv Klan se ky model ka gjetur sukses në vende me ekonomi të ngjashme me ne.“Një pjesë e pronave marrin vlerë të tyre qoftë të vinë për të kaluar një pjesë të kohës së pensionit të tyre, qoftë për të ndenjur në mënyra më afatgjata. Dhënia vlerë e pronës qoftë individuale, qoftë konsumi që vjen prej tyre, nuk e rrezikon Shqipërinë, biles e bën më tërheqëse”, tha Malaj.
Një tjetër politikë pozitive përkrahëse për ekonominë është edhe rregullimi i tregut të punës, ku përparësi për të hyrë në vendet e punës, duhet ta kenë fillimisht shqiptarët e më pas të huajit.
“Rendi, siguria e shërbimit shëndetësor publik, privat, sipas rregullave që janë sepse vijnë administratorë, vijnë familjarë. Grupe të caktuara kanë kërkesa specifika”, shtoi ai.