
Nga Shpëtim Nazarko
Ditët e fundit, pandehmat se Pashalimani në Vlorë mund t’i jepet për bazë ushtarake NATO-s, ashtu siç u veprua me Kuçovën, duket se janë realitet. Pandehmat filluan me zhurma të zakonshme në gazeta greke, që e shihnin veprimin e mësipërm jo si një dhënie NATO-s, por Turqisë. Duket se kjo zhurmë rezulton e kotë, por e vërteta mbi dhënien e bazës ngelet, referuar kjo edhe përgjigjes së Komandës së Atlantikut Verior. Para se të mundohem të sqaroj pikëpamjen time se Pashalimani nuk jepet për asgjë në botë, po paraqes shkurt disa pikëpamje të përgjithshme. Megjithë simpatinë time të hapur ndaj disa veprimeve të Ramës, veçanërisht në mandatin e parë, simpati që për militantët torollakë, quhet shërbim ndaj tij, së majtës, etj., etj., duhet të ndalemi e të shohim se çfarë po ndodh veçanërisht kohët e fundit.
Përparimi relativ i Shqipërisë, pas mandatit të Ramës në vitin 2013, u shoqërua me një sqimë të një lloji tjetër nga ajo e mëparshmja. Kjo, në lidhje jo vetëm me cilësitë e ndërtimeve në rrugë dhe qendra banimi, por edhe me pyllëzimin e ambientit, reformën territoriale, moratoriumin për ndërtimet pa leje etj., etj. E mjaft operacione të ngjashme, që duket se më në fund po i ndryshonin faqen vendit.
Ndërkaq, nuk duket e vështirë, që ashtu si edhe në gjithë periudhën e mëparshme, Shqipëria vazhdon të mbetet pa strategjinë kombëtare të zhvillimit, pa reformën e tokës dhe pa arsimin real profesional. Të mjaftueshme këto për të dalë në konkluzionin se vendi ka mbetur pa ëndërr apo se nuk mund të shkojë përpara, edhe nëse çdo ditë përparon me milimetra a kilometra, në ato që qeveria apo ithtarët e saj i quajnë sektorë zhvillimi. Elementë këto që të thonë se shpejt a vonë do të ngelemi në vend dhe do të ngremë edhe një herë, si gjithnjë, duart përpjetë. Por le të kthemi në temën që jep titulli i artikullit.
Straboni e quante Vlorën portin më të madh të antikitetit. Romakët e kishin atë, bashkë me Durrësin, si një nga dy pikat hyrëse që vinin nga rruga “Apia” dhe kryqëzohej në këto pika për të vazhduar me Egnatian e që lidhte Perandorinë Romake të Perëndimit me të Lindjes. Pra, mund të thuash edhe se ishte rruga më e rëndësishme e botës.
Perandoria turke, që ishte më e dobëta në të gjithë historinë e perandorive në det dhe Shqipëria ishte periferi e saj, ia humbi rëndësinë kësaj rruge dhe bashkë me të edhe të njërës prej pikave hyrëse, Durrësit. Ajo mbajti vetëm Pashalimanin, si pika më e afërt që mund ta lidhte me Italinë. Hoxha ua dha për një kohë Pashalimanin rusëve, duke e mbyllur pastaj përfundimisht vendin. Dhënia e Pashalimanit NATO-s, apo më saktë amerikanëve, nuk duhet parë si një vepër analoge e Hoxhës me rusët, megjithëse ata që kanë drejtuar Shqipërinë, që nga koha e Ali Tepelenës kanë ndërruar vazhdimisht partnerët, jo kaq për interesa të vendit, se për ato personale. Analogjia e mësipërme nuk ka vlerë. Për Shqipërinë, Amerika, e cila ndjek politikën e Austro-Hungarisë, është mbrojtësja dhe aleatja e përjetshme e Shqipërisë, parë në konceptin gjeopolitik. Po përse nuk duhet, për asnjë arsye në botë, Pashalimani t’u jepet edhe amerikanëve, apo thënë ndryshe, NATO-s?!.
Duke dhënë Pashalimanin apo Vlorën, praktikisht Shqipëria humbet portin më të madh të saj, e cila në studimet po amerikane (që e ngatërrojnë në realitet, me Durrësin) është potencialisht e një rëndësie të barabartë me Hamburgun dhe Roterdamin apo dy nga më të mëdhenjtë e botës. Ajo është pika hyrëse e Korridorit të Tetë, prej ku mallrat e ardhura të të gjithë të mëdhenjve të kësaj bote mund të vinin nga Gjibraltari. Prej Vlorës shkonin në Maqedoni, që është Dispeceria e Ballkanit dhe prej andej, në Stamboll, Europë Qendrore apo, në doni, në Rusi nëpërmjet Ukrainës. Bashkë me Maqedoninë, që thith mallrat nga Suezi, Shqipëria do të ishte nga faktorët kyçë të Ballkanit a më gjerë.
Por, edhe nëse Shqipëria nuk do të përkundte këto ëndrra të mëdha, që janë vepër e tipit Bismark a Pjetër i Madh i Rusisë, ajo do të ishte thjesht e vdekur. E mbetur pa port (Durrësi nuk e plotëson këtë qëllim, se është i cekët dhe mbetet i tillë sado të thellohet), por edhe pa hekurudha, Shqipëria nuk transporton dot së pari eksportet e saj që janë të natyrës së rëndë, si: minerale, çimento, ujë apo gurë.
Me dhënien e Pashalimanit, Shqipëria thyente kështu përfundimisht një nga shtyllat themelore të strategjisë kombëtare, atë që shfrytëzon pozicionin gjeografik. Mbetej një gropë e madhe dhe një vend pa asnjë lloj ëndrre.
Kjo arsye elementare për mua mjafton që Pashalimani nuk mund t’i jepet, për asnjë arsye në botë, as NATO-s, as amerikanëve dhe askujt në botë. Duke dhënë Pashalimanin, është njësoj sikur të vetëvarrosemi.