Listat e përmbysura të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit ishin një risi e konceptuar nga Edi Rama për të maksimizuar fushatën e atyre që njiheshin si figura me peshë brenda partisë. Vetë kryesocialisti dhe me radhë të gjitha figurat qendrore të partisë u vunë në të gjitha qarqet në pozicionet limit të objektivit të këtyre zgjedhjeve.
Si shembull, Rama e vendosi veten të tetin në Durrës dhe Vlorë dhe në të dyja këto qarqe, socialistët siguruan nga tetë mandate. Objektivat e vendosura nga Rama ishin të pandryshuar në krahasim me zgjedhjet e 2017-s.
Në këto zgjedhje, në Tiranë PS mori 18 mandate dhe me këtë objektiv nisi edhe fushata për kryeqytetin. Lista këtu u mbyll me emrin e Eduard Shalsit, duke lënë jashtë saj emra si Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli dhe Pandeli Majko, tre figura me kontribute brenda partisë.
Majko renditej në vendin e 19, Mimi Kodheli në vendin e 21 të listës dhe Fatmir Xhafaj në vendin e 23-të. Xhafaj ishte i vetmi nga tre emrat e mësipërm që arriti të thyejë herësin, duke u rikthyer me meritë të plotë në Kuvend si deputeti më i votuar në qarkun e Tiranës, dhe i dyti më i votuar në gjithë Shqipërinë.
Ai ka siguruar më shumë se 16 mijë vota edhe pse u la në një zonë të vogël elektorale si njësia 10, si dhe sulmet e brendshme të cilat sipas raportimeve nga media nuk munguan.
Nga ana tjetër, Kodheli e Majko ngelën jashtë duke mos u përqafuar nga elektorati pavarësisht se përfaqësonin zona të njohura si bastione të Partisë Socialiste dhe gara ishte më e thjeshtë në raport me Xhafajn.
Pas këtij të fundit, do të ishte radha e Mimi Kodhelit që të rikthehej si ligjvënëse në parlament. Najada Çomo, që para zgjedhjeve u shndërrua në një prej figurave kryesore të fushatës së socialistëve për shkak të rolit që pati në pandemi refuzoi marrjen e mandatit për të vijuar detyrën në profesionin e vet. Pak javë pas refuzoi mandatin e deputetes, ajo u emërua Drejtore e QSUT-së.
Vendin e lënë bosh prej Çomos në parlament e zuri Mimi Kodheli, që nuk përfitoi për shkak të numrit më të madh të votave, por prej parashikimit të kodit zgjedhor se në rastet kur dorëheqja është nga gjinia më pak e përfaqësuar në Kuvend, zëvendësimi duhet të ndodhë nga e njëjta gjini.
Ky rregull ‘e dogji’ Pandeli Majkon me rreth 8 mijë vota personale të grumbulluara. Megjithatë, afera e inceneratorëve dhe arrestimi i Alqi Bllakos (që në listën e kandidatëve ishte në vendin e 17) e riktheu në Kuvend edhe Pandeli Majko.
Vlen të themi se Kodheli dhe Majko kanë lindur me “këmishë” ku pjesë e Parlamentit edhe këtë herë i bën formula e Kodit Zgjedhor dhe jo qytetarët.