Presidenti i Nderit i Kukësit, Safet Gjici ka prekur tema të ndryshme gjatë prononcimit të sotëm për shtypin, duke u nisur nga dënimi për shkak të goditjes së një tifozi ndaj Tedi Carës në duelin me Partizanin në “Kukës Arena”, ecurisë së mirë të skuadrës së Dobit në ndeshjet e fundit dhe kompleksit të ri sportiv “Ilirjan Thaçi”.
“Dënimi për tifozët? Ajo çfarë unë sot do t’u thoja tifozëve, është se kjo vepër madhështore e bërë në Kukës, një stadium madhështor, është bërë pikërisht për standarde në sport. E patë se me presidentin e FSHF inauguruam fushën stërvitore. Lojtarët janë për të bërë gola. Nëse një lojtar shënon dhe goditet duke dëmtuar investimin dhe imazhin, nuk është normale. Në fakt ka tifozë Kukësi, por janë një pjesë që nuk duhen pranuar në stadium. Me sa di unë, policia ka bërë veprimet e veta për personin përgjegjës në kundërshtim me ligjin. Stadiumi monitorohet nga kamera.
Pamjet filmike janë dërguar në polici dhe ai person është para drejtësisë. Këto persona jo vetëm që do të dënohen, por nuk do të lejohen më në stadium. Ato që prishin stadiume të reja, nuk i duhen ekipit të Kukësit. Kërkoj nga Security dhe Policia Bashkiake që të merren masa ekstreme. Të respektohet rregullorja 100%.
Ju lutem tifozëve që e duan Kukësin dhe që janë shumë, por që vijnë 10-15 pseudotifoza, të mos i lejojmë në stadium. Dëm ekonomik sepse kemi paguar miliona nga këta persona. Të dënosh tifozët pa asnjë faj dhe klubin, do të kërkojmë llogari. Ka dalë edhe ligji që policia bashkiake ka detyrim ligjor për të siguruar ndeshjen. Ne do t’i evidentojmë të gjithë personat problematikë”, tha Gjici./gazetasport