Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet e tij me kancelaren në largim të Gjermanisë, Angela Merkel.
Ai ka treguar takimin e parë me të, që siç thotë i është dukur sikur po shkonte në provim me një zyshë që nuk të fal.
Sipas tij, ajo që ka pësuar prej saj është aftësia e saj për të mos e thënë fjalën e fundit të parën.
“Ajo është një tjetër natyrë lidershipi nga natyra ime edhe shumë të tjerëve me thënë të drejtën. Është një natyrë shumë e veçantë në llojin e vet, por gjëja që mua më ka bërë më shumë përshtypje dhe që mbase diçka kam mësuar prej saj është aftësia e saj për të mos e thënë fjalën e fundit të parën, gjë që unë e kam pas paaftësi të madhe që shpresoj ta kem rregulluar deri diku, por jo plotësisht. Dhe njëkohësisht sensi i saj i tjetrit. Kur unë kam bërë takimin e parë me të ka qenë takimi përpara të cilit kam pasur shqetësim, shumë shqetësim. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë me thënë të drejtën. Them shqetësim sepse nga televizori më dukej njeri shumë i largët, shumë i ftohtë, sikur po shkojë në provim me një zyshë nga ato që nuk të falin presjen dhe dallimi mes personit që shikojmë të televizor dhe personit që është përballë është i jashtëzakonshëm, absolutisht i jashtëzakonshëm.”- tha Rama.