Nga Doriano Koldashi
Fatkeqsisht Shqipëria dhe shqiptarët po jetojnë kohë të vështira me një ekonomi që lëngon dhe pritshmëritë janë që kjo krizë do të thellohet edhe më shumë. Kjo situatë nuk lidhet thjesht me keqqeverisjen e vendit, por me produktin më fatkeq që kjo mazhorancë i ka ofruar kryesisht të rinjve, vrasjen e shpresës. Si sipërmarrës konstatoj prej disa vitesh mungesën e interesit të qytetarëve për të punuar edhe kur i ofron hapësirë dhe pagesë të kënaqshme.
S’ka të rinj, s’ka njerëz të kualifikuar, s’ka dëshirë për të punuar, s’ka ambicje për tu rritur në karrierë, ka vetëm një qëllim të të gjithëve, TË IKIN SA MË SHPEJT NGA KY VEND!Ndërkohë që biznesi është në një pozitë dhe vështirësi të jashtëzakonshme, përgjegjësi i krizës vijon të shigjetojë dhe të paralajmërojë për sanksione, kontrolle dhe gjoba sërish biznesin. Absurde por e vërtetë.
Mbase për shkak të qëndrimit në pozita drejtuese në hierarkinë e shtetit shqiptar prej 24 vitesh, Edi Rama e ka humbur kontaktin me realitetin. Nuk e di çdo të thotë krizë dhe të jesh i varfër, ndaj edhe kërkon që t’i vendos “duart në fyt” biznesit sa herë që të dhënat dhe raportet ekonomike nuk i përgjigjen. Z. Rama fol me bizneset. Pyeti sa herë trokasin punonjësit në dyert e tyre për t’i kërkuar paradhënie për rrogën?
Pyeti sa herë shohin lot në sytë e nënave dhe baballarëve që ankohen për pamundësitë që kanë për të rritur fëmijët e tyre në këtë vend? Pyesi sa e gjatë është lista me borxhet në dyqanet e lagjes dhe furrat e bukës?
Pyeti sa herë përgjërohen në bankat e nivelit të dytë për të marrë overdrafte dhe kredi për të plotësuar nevojat e tyre bazike?
E thjeshtë jetojmë në dy botë paralele! Ju në qetësinë e plotë të ushtrimit të mandatit kryeministror dhe ne të tjerët nën stresin dhe përballjen e përditshme me nevojën ulëritëse për mirëqënie të familjeve shqiptare!