Policia dhe qytetarët janë përplasur ashpër sot në qytetin e Tuzit, pasi qeveria e Malit të Zi ka mbyllur lokalet në kuadër të masave kufizuese për përhapjen e Covid 19.
Pas këtij vendimi kryetari i qytetit me shumicë shqiptare, Nikë Gjeloshaj së bashku me banorë të Tuzit kanë vendosur t’i bllokojnë rrugën policisë.
Sipas tij, Tuzi ndodhet në zonën e gjelbër dhe vendimi është hakmarrje ndaj vendosjes se flamurit shqiptar dhe atij të Kosovës me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës.
Gjeloshaj ka thënë për mediat se kjo lëvizje është e orkestruar nga kryeministri Krivokapiç dhe Dritan Abazoviç.
“Ka të bëjë me diskriminim, sepse asnjë komunë nga Tabela Institutit të Shëndetit Publik nuk është mbyllur, përveç Tuzit. Kjo është hakmarrje e kryeministrit dhe zëvendëskryeministit ndaj qytetarëve të Tuzit. Hakmarrje për shkak të shpalosjes së flamurit. Meqë e dimë se ata po e bëjnë këtë për arsye, ne po i ftojmë për të biseduar. Le të dalin para popullit dhe le të sqarojnë pse po diskriminohemi. Këtu po i presim”, tha Gjeloshaj, dujke thënë se nuk do të hapte rrugën derisa Abazovic te shkonte në Tuz.
Përplasja vjen pasi në ndërtesën e Komunës së Tuzit janë vendosur fundmi flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë për të festuar pavarësinë e Kosovës.
“Në vend që të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”.
Aktualisht Tuzi ka 95 qytetarë të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e e gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje.