Roland Qafoku
Xhorxh Tenet tregoi edhe një herë se nuk ka qenë nevoja ta fotografoje nga vrima e çelësit. Libri i tij “Në qendër të stuhisë”, është në të njëjtën kohë edhe një qendër shembulli se si lind, rritet dhe shkëlqen, por dhe sa i hapur është një personazh kaq publik dhe me pushtet njëkohësisht. Me një famë planetare, me një rrogë vjetore 2 milionë dollarë, përballë 400 mijë të Presidentit amerikan, me rekordin e jetëgjatësisë më të madhe në këtë detyrë, me rekordin e të punuarit me stafin e të dy presidentëve, George Tenet padyshim është nga ai produkt emigrantësh në SHBA që kanë njohur majën e majës së suksesit.
Por ajo që e lidh emrin e Xhorxh Tenet me Shqipërinë është origjina e tij.
Ne shqiptarët që rrekemi të gjejmë ndonjë molekulëz albaneze edhe në genet e Majkëll Xheksonit, na vikërka ëmbël të vetëdeklarojmë se nga gjiri ynë ka dalë edhe vetë shefi i CIA-s dhe na vjen thartë ama kur ai deklaron se është grek.
Duke lexuar librin e sapo nxjerrë në treg në SHBA dhe e pasqyruar çdo ditë edhe në faqet e “Tirana Observer”, duke marrë në analizë të gjithë deklaratat, por edhe dëshmitë e të afërmve të vet në Himarë dhe në Qeparo, mund të nxjerrim një konkluzion shumë të thjeshtë: Tenet s’ka asnjë lidhje me vendin tonë.
Jo thjesht për faktin se të parët e të atit ishin grekë dhe në vitin e largët 1680 lanë Korfuzin për të ardhur në Qeparo pas një hasmërie që erdhi nga një vrasje. As për faktin se prej më shumë se tri shekujsh familja me shtëpinë karakteristike buzë detit në Himarë e Qeparo vazhdon të flasë greqishten si gjuhë të nënës. Jo thjesht akoma për faktin se ëma e tij, Vangjeli Kacelano, është e bija e një doktori shumë të njohur grek. Por edhe për një fakt tjetër shumë më të rëndësishëm: Që historia shqiptare as i ka pranuar dhe as është kujdesuar ndonjëherë për këta shtegtarë të ardhur nga halli nga shteti fqinj.
Si mund të ketë sadopak shqiptarizëm në dejet e Evangjelisë kur komunistët i vranë xhaxhallarët dhe të afërmit e tjerë sapo morën pushtetin. Si mund të ketë në dejet e vetë Xhorxh Tenet ndopak rruaza shqiptare, kur atij dhe të atit të tij për 50 vjet i mohohej ardhja në tokën e të parëve. Si mund të ketë ndopak lidhje me Shqipërinë Tenet, kur një pjesë e kolonisë shqiptare në SHBA në atë kohë ose përdorej për propagandë komuniste ose si ngatërrestare nga regjimi i Hoxhës.
E pra në vitin 1978 deri në vitin 1979, Xhorxh Tenet u bë drejtor i institutit greko-amerikan, institucioni më i lartë i lobit grek në SHBA. Dhe kjo detyrë padyshim që i dha atij edhe më shumë impenjim helen. E bëri më të fortë si person brenda një lobi që për hir të vërtetës është i dyti për nga fuqia pas hebrenjve.
Ndryshe mund të ishin punët nëse Tenet inkuadrohej dhe përfshihej në komunitetin shqiptar.
Askush nuk mund të parashikojë nëse Tenet do të bëhej apo jo shef i CIA-s nëse do vinte nga ky lob. Por, ne me siguri mund të themi se ca ferra në këmbët e tij do të kishin mbirë patjetër.
Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm me Tenet.
Për dekada me radhë ne nuk e kishim idenë se një grua trupimët me emrin Gonxhe Bojaxhi dhe e njohur me emrin Nënë Tereza, fitues e çmimit “Nobel” për paqen ishte shqiptare. Ajo njihej në botë po aq sa Papa, presidentët e SHBA-së dhe njerëzit më me ndikim në rruzull vetëm për faktin se ndihmonte njerëzit në nevojë. Por ama këtë grua që e nderonte India si qytetaren e vet dhe tërë bota mbarë si pjesë e njerëzimit, ne shqiptarët nuk i dinim as emrin.
Ne nuk dinim gjithashtu se dyshja e vëllezërve John dhe James Belushi, aktorët më të famshëm të Holliwood-it, ishin shqiptarë safi. Vetëm kur Shqipëria u çlirua nga komunizimi u mburrëm me zë të lartë se ata na përkisnin ne, ishin tanët, ishin nga gjiri ynë.
Po ashtu ndodhi edhe me Sten Dragotin e famshëm për të cilin u mësua se është yll amerikan në Holliwood vetëm pas vitit 1990.
Apo edhe biznesmeni Antony Athanas i vlerësuar nga më të suksesshmit në SHBA dhe i mikluar nga pothuajse të gjithë presidentët amerikanë të kohës që jetoi. E mësuam që ai kishte famë dhe sukses me pesë yje nga lokali i tij, “Pier 4” në buzë të oqeanit pranë downtown-it të ri të Bostonit, vetëm kur hapëm kufijtë dhe vargjet e emigrantëve tanë kërkonin punë në restorantin e tij.
Për të mos shkuar deri tek Bekim Fehmiu, një tjetër shqiptar i famshëm që shkëlqeu në skenat dhe sheshxhirimet e filmave amerikanë e italianë dhe që pjesën tjetër e jetës po e kalon në Beograd.
Ç’kishin parë e dëgjuar për vendin e origjinës këta njerëz? Ç’vlerësim kishin marrë prej bashkatdhetarëve? Asgjë prej gjëje. Madje, do të shiheshin me përçmim, përbuzje deri ligësi. Me të shara dhe epitete. Ndërkohë që ata që kishin lidhje gjaku dhe jetonin këtu ishin të destinuar të cilësoheshin, në mos reaksionarë, kushërinj të reaksionarëve.
Përfundimisht, mund të themi se më kot rrekemi ne shqiptarët ta përvetësojmë figurën e George Tenet.
Ajo është aq greke sa grekët e deshën atë. Është aq shqiptare sa ne shqiptarët e deshëm atë. I vetmi ndryshim është se kjo dashuri nuk duhet parë e vlerësuar kur ai mori detyrën super të lartë të shefit të CIA-s. Por atëherë kur ngjizi jeta e tij. E shkuara dhe ardhmja e të cilës lidhen me atë ditë të largët të tre shekujve më parë kur katragjyshi i Tenet iku nga Korfuzi drejt Qeparoit.
Një ngjarje për të cilën shefi i CIA-s e përshkruan në librin e tij vetëm me këto pak fjalë: Prindërit e mi erdhën në SHBA nga një vend që sot quhet Shqipëri e Jugut.
[email protected]