Partia Demokratike zbardh bisedën mes kreut të PD-së Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta.
“Sot në Selinë e Partisë Demokratike u zhvillua një takim mes Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë së Lirisë zotit Ilir Meta.
Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zoti Flamur Noka. Dhe, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili.
Sipas PD, në takim u diskutua dhe u ra plotësisht dakord për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore, iniciativat parlamentare, në protestat popullore kundër pushtetit të Edi Ramës.
Takimi u karakterizua nga fryma e mirëkuptimit të plotë.”
Takimi vjen në një periudhë kur shtatorin sapo e lamë pas dhe premtimet e Berishës dhe Metës për protesta të forta nuk u materializuan. Prej javësh në studiot televizive janë ngritur pikëpyetje. A janë dy faktorët e mëdhenj opozitarë, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë në kushte bashkëpunimi? Deklaratat e liderëve kanë qenë të pakta, jo shpjeguese. Ende nuk dihet nëse takimi i sotëm do të përkthehet në aksion të përbashkët opozitar ose jo.