Partia Demokratike ka reaguar fill pas deklaratave të deputetit Flamur Noka lidhur me debatet brenda grupit parlamentar.
Në reagim bëhet me dije se asnjëherë nuk është përdoru fjala “llum” kundrejt të gjithë anëtarësisë por veç ndaj atyre që kur PD ka qenë në pushtet kanë përfituar.
Reagimi i PD-së:
Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum.
Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës.
Anëtarësia e PD, militantët e saj të nderuar kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij.