Nuk po trajtojmë aspak probleme të krimit të organizuar. As të grupeve kriminale.
As ruajtjen e verbër të informatorëve dhe as kalbjen në sirtarët e shefave të policisë të informacioneve që qytetarët përcjellin për të fortët e lagjeve.
Por me një fenomen të ri, të “tradhëtisë” ndaj qytetarëve, të cilët ankohen dhe kërkojnë ndihmë.
Nëse keni komshinj të bezdisshëm dhe zhurmues, mund t’ju ketë ndodhur që pa një, pa dy, të merrni policinë, pasi nuk preferoni ta zgjidhni shqiptarçe.
Përfundmi mund të ndodhë të jetë i pakëndshëm, nga një person me qetësi të trazuar, mund të mbeteni fillikat përballë fqinjëve që ju akuzojnë si spiun.
Kjo i ka ndodhur A. , një 33-vjeçar, i cili është i bindur se efektivët që mbërritën në pallatin ku ai jeton, pasi morën kontakt me fqinjët e zhurmshëm, sipas tij edhe ata u bënë spiunë.
E njoftova policinë, pasi më herët isha sjellë si gërnjari i lagjes dhe pozita ime ishte e sikletshme, meqenëse sapo jam bërë baba dhe fëmija shqetësohet nga zhurmat.
Një grup djemsh qëndojnë për natë poshtë shtëpisë dhe bërtasin shumë.
Pijnë birra dhe lagjia nuk ka qetësi në darkë. Njoftova direkt shefin e policisë dhe ai dërgoi një patrullë.
Policia më tradhëtoi dhe telashet e mia u shtuan. Ata i treguan njërit prej tyre, duke i thënë se një burrë në pallat kërkoi policinë, ata qeshën së bashku dhe policët i këshilluan, “hajdeni djema, nëpër shtëpia”. Rezultati? Sa herë kaloj ngjitur, të rinjtë pështyjnë përtokë, – e përshkruan për Gazetasi.al gjendjen ku ndodhet, A.
Deri në momentin e intervistës, 33-vjeçari ka mbajtur qëndrim mohues përpara të rinjve, duke ua bërë të ditur se nuk ishte ai spiuni.
“Ata janë të bindur që ky është gjesti im”, – shton A. për të cilin policia nuk e kaloi testin e besimit.
Por telefonata në polici dhe kërkesa për ndihmë, shtyrë nga zhurmat dhe rrëmujat, rezultoi si e vetmja mundësi edhe për një avokat në Tiranë, që më pas, u kanos nga të rinjtë, aq sa pas telefonatës së fshehtë dorëzoi kallëzim për kanosje.
Në rrethana të paqarta, më vonë avokati u tërhoq nga dosja me numër 7690, por ajo çfarë u shkrua, mbetet dëshmi se diçka nuk shkon në polici.
Burime të GazetaSi.al, tregojnë detaje në rrugë jo zyrtare për hallin e avokatit, i cili pasi u ndesh me klithma, zhurma e të qeshura poshtë shtëpisë, telefonoi policinë.
Ashtu sikurse veprojnë qindra shtetas, që në fakt gjejnë zgjidhje.
Por fatkeqësisht, rasti i avokatit është krejt e kundërta.
Mbetet e pashpjegueshme, se si pala tjetër mëson rrethana mbi telefonuesin, kur këto të dhëna duhet të mbeten sekret për policinë.
Në kallëzim, avokati përmend përpara policisë numrin 3: disa herë kam dalë nga dritarja e ballkonit dhe iu kam kërkuar të mos bëjnë zhurmë, asnjëri prej tyre nuk është banor i zonës.
Në këto kushte, telefonova policinë, duke menduar se po vidhej lokali poshtë shtëpisë.
Aty shkuan dy makina të policisë, me efektivët, të cilët hynë në lokal.
Brenda ishte pronari i lokalit. Në të njëjtën ditë, më telefonoi im bir, ai posedon një llogari Instagrami dhe një person që njihet me pseudonimin ‘patatja’ e ka kërcënuar.
Djali më tha: “Babi, sqarohu me këtë person, është mirë mos të kemi problem”.
Sipas dosjes nga burimet policore dhe shumë të sigurta, i ndodhur në këtë rrethanë, avokati është munduar t’i gjejë numrin e telefonit ‘patates”.
Por shokët e tij ia kanë prerë, “ai nuk dëshiron të flasë me ty, nuk ta japim dot numrin e tij”.
Ditët kanë vijuar mes ankthit dhe pritjes për avokatin
“Kur po kthehesha nga gjykata, rreth orës 15.00, më doli përpara djali i administratores së pallatit. Filloi tmë shajë dhe ofendojë dhe më kërcënoi – do të vras, ti je spiun i policisë. Iu përgjigja t’më linin të qetë në jetën time”.
Burri shton vështirësitë që hasi në vijim. Një ndër to, bllokimi i makinës, në një nga ditët kur ai deshi të dilte nga parkimi, por një tjetër mjet i kishte zënë rrugën dhe nuk lëvizte.
“Pyeta kush e ka makinën dhe A., shtoi se është makina ime, pastaj mu përgjigj: ‘Nuk e lëviz, para dy netëve na ke sjellë policinë’. Pastaj më ofendoi dhe më shau”.
Avokati kujton se u qëllua me pëllëmbë në drejtim të kraharorit dhe në këtë çast, i trembur ai sërish telefonoi policinë.
Kësaj radhe ai argumenton përpara policëve, se i kërkoi pasi i duhej të shkonte në punë dhe se ishte vonë. Pasi janë sharë dhe ofenduar gjatë, kur furgoni i policisë ka mbërritur avokati ka pranuar të bëjë kallëzim, por ka refuzuar t’i kryhej ekspertim për të vërtetuar nëse kishte apo jo dëmtime trupore
Patatja…
Por qytetari tjetër që njihet me nofkën “Patatja”, pretendon se ai dominohej nga qetësia dhe se atë ditë po pinte kafe, kur komshiu i kishte bërtitur – kush e ka parkuar makinën këtu. Ai madje justifikohet se me “edukatë”, i është përgjigjur – pse bërtet, pse ofendon, nuk ke pse më shan e lëviz unë makinën”.
“Në këtë çast, i hodha çelësat në fytyrë dhe u zumë me duar, ndaj i mbetën shenja. E shtyva për t’u vetmbrojtur. Policia e ka pyetur edhe për kërcënimet në Instagram. Patatja argumenton: “Nuk është e vërtetë që e kam kërcënuar, pasi djalin e tij e kam shok. I thashë, ke mundësi të takohemi pak, pasi babai yt po na bezdis dhe nuk po na lë të rrimë, po na besdis”.
Në përfundim, sipas burimeve avokati, pas kallzimit për kanosje, ka hequr dorë nga ankimi dhe çështja është mbyllur.
Por sidoqoftë, ndonëse palët shfaqen të pajtuara pas keqkuptimit, ajo që duhet të reflektojë, është policia.
Pyetja ndaj policisë është: “A po tradhëtohen qytetarët?”
“Mendoj që po. Por ai tradhëtohet më shumë është para së gjithash qytetari-polic. Ka raste dhe janë domethënëse. Personalisht drejtoj një lokal. Në kohën e pandemisë, kur baret duhet të mbyllen në orën 20:00, u detyrova të krijoja një marrdhënie direkte me shefin e komisariatit. Polici i rendit jashtë po shkrepte fotografi për thyerjen e orës policore. Ne kishim mbyllur perdet dhe një grup i vogël po qëndronim rehat në privatësinë tonë. Kur më erdhi telefonata nga garantuesi, që pak a shumë po më lutej ta mbyllja pasi, policët po dërgonin fotografi tek grupi i tyre. Në këtë rast, i tradhëtuar është polici, ndaj e quajta qytetari-polic”,- i vë kapakun intervistës pronari i një bari në kryeqytet.
Ai shpjegon, se ora policore po zhvillon një lloj të ri korrupsioni, përmes të cilit sigurohet mbajtja hapur e disa bareve, ndonëse në mënyrë të paligjshme.