Pas djegies së mandateve të Opozitës në 2019, Erion Piciri, u bë pjesë e Kuvendit, nga lista shumëemerore e PD.
Tashmë kur i ka mbaruar mandati dhe nuk është në Kuvend, ai ka njoftuar se ka hequr dorë nga shuma prej 25 milionë lekësh, që ligji ua jep si shpërblim ish-deputetëve për një periudhë deri 3 vjeçare, përcjell gazeta Drita.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, por edhe në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ai shkruan se gjithë aktiviteti i tij pranë këtij institucioni ishte dhe mbeti vullnetar.
Me heqjen dorë nga shpërblimi, por edhe nga paga, pasi që kur ka hyrë në Kuvend ka hequr dorë edhe nga paga, Piciri i ka lënë buxhetit të shtetit 100 milionë lekë të vjetra me synim që të përdoren për pandeminë, tërmetin apo për të ndihmuar bizneset.
“Sot përmbylla marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë, me heqjen dorë nga përfitimet financiare prej 25 milion lekësh të vjetra, që ligji ua jep si shpërblim ish-deputetëve për një periudhë deri 3 vjeçare. I gjithë aktiviteti im pranë këtij institucioni ishte dhe mbeti vullnetar, duke i lënë buxhetit të shtetit mbi 100 milion lekë të vjetra për ndihmat e tërmetit, biznesit dhe pandemisë. Nga sot më i lirë, filloj të mendoj për rikthimin në botën universitare dhe angazhimeve të tjera në hapësirën publike”, shkruan ish-deputeti, raporton gazeta Drita.
Ish-deputetët përfitojnë për 28 muaj 58% të pagës referuese, si dhe një shpërblim në masën e dy pagave. #GazetaDRITA.al #DRITA