Dy analistët Mero Baze dhe Mustafa Nano, të njohur si kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës, kanë dalë hapur në mbrojtje të këtij të fundit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD.
I pari, ishte Mero Baze i cili në një shkrim përshëndeste Bashën, për vendimin për përjashtimin e Berishës, ndërsa theksonte se ky ishte ndëshkimi për ish-kryeministrin, raporton gazeta Drita.
“Të gjithë ne që jemi përballur me Berishën, kemi një të ngjashëm, por jo të njëjtë me ne, që e ka poshtëruar Sali Berishën dhjetëra herë më shumë se ne, pa u bërë armik me të, por vetëm duke i marrë atij gjithçka, partinë, pushtetin, paratë, dhe në fund dhe dinjitetin.
Ai është Lulzim Basha. Ai është mallkimi i Sali Berishës për gjithë çka bërë me çdo kundërshtar në këto 30 vjet. Në fund të fundit tani është vetë ana tjetër e Sali Berishës, ajo që ai ka ëndërruar si duhet t’i kishte partnerët apo bashkëpunëtorët.
Ai është ana e errët e Sali Berishës, ajo që Sali Berisha ëndërron natën se si duhet të delegojë pushtetin diku që të ketë sërish Ai.
Lulzim Basha është modeli që ka në kokë Sali Berisha se si në politikë mund të gënjesh dhe veten, për të gënjyer popullin.”-shkruante ndër të tjera Mero Baze.
Por, pas Mero Bazes ka dalë një tjetër analist, pro vendimit të Lulzim Bashës.
Mustafa Nano në shkrimin e tij e përcjellë nga gazeta Drita, cilëson vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës, si vendimin e duhur.
“Që ta themi troç: Lulzim Basha ka bërë gjënë e duhur, gjestin e duhur, por e ka bërë për arsye të gabuara, e ka bërë në mënyrën e gabuar. Ai duhet ta kishte bërë prej kohësh këtë që bëri sot dhe duhej ta kishte bërë për arsye të tjera. Për të njëjtat arsye për të cilat Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur Sali Berishën persona non grata. Për të njëjtat arsye për të cilat Sali Berisha do të duhej të ishte sot te shtatë penxheret. Ose më e pakta, do të duhej të ishte tanimë në një sallë gjyqi ku të kishte dhënë llogari. Unë e kam pritur këtë prej vitesh. Por ai nuk e ka bërë këtë gjë.”-shkruan ndër të tjera Mustafa Nano.