Luan Rama, i cili së fundmi njoftoi largimin nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pas Petrit Vasilit, nënkryetarit 300 votash të LSI, ka “goditur” Ilim Metën themeluesin e LSI dhe kryetaren e kësaj force politike Monika Kryemadhi.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama, ka përkujtuar 5 Shtatorin në nderim të partizanëve dhe popullit anti-fashist të Skraparit.
“Në 5 shtatorin e çlirimit: Përjetë nderim dhe mirënjohje partizanëve dhe popullit anfifashist të Skraparit.
Nuk është e rastit që populli atdhedashës i Skraparit qe ndër pararendësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë edhe zona e parë e çliruar në të gjithë Shqipërinë.
Historia e kësaj treve me identitet të spikatur dhe me kontribute përcaktuese për fatet e lirisë së vendit, na dëshmon një popull qëndrestar në heroizmin e vet dhe të bashkuar sa herë i është dashur të përcaktojë fatet e të ardhmes së tij.
I lidhur me dashurinë e shpirtit me tokën dhe lirinë, heroizmi i popullit të Skraparit shkëlqeu më shumë se asnjëherë tjetër më parë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Populli dhe partizanët e Skraparit me luftën, gjakun dhe sakrificat e panumërta, i bënë nder Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Ata u bënë simbol heroizmi, u bënë simbol krenarie dhe përkushtimi atdhetar, dhe të tillë janë e do të mbeten përjetësisht në panteonin e lavdisë së historisë sonë kombëtare, pavarësisht faktit që sot në 5 shtatorin e çlirimit të Skraparit, askush prej autoriteteve shtetërore të Shqipërisë antifashiste, nuk u kujtua të thotë një fjalë nderimi për atë popull, për atë trevë të larë në gjak e mbuluar me lavdi partizane”, shkruan Rama në rrjete sociale.
Më tej indirekt ai “godet” Presidenti Ilir Meta, që edhe pse nga Skrapari e ka lënë në harresë këtë ditë.
Të njëjtën linjë ka ndjekur edhe bashkëshortja e tij, tashmë e “ zhdukur” nga skena politike, që pas 25 Prillit.
“Harrimi është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike që nuk e lidh më asgjë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Populli i Skraparit është krenar për historinë e vet.
Populli shqiptar është krenar për Skraparin dhe luftën partizane të popullit të Skraparit.
Ndaj sot në 5 shtatorin e çlirimit, përjetë nderim dhe mirënjohje partizanëve dhe popullit antifashist dhe liridashësh të Skraparit”, shkruan më tej Rama.