Në moshën 32 vjeçare Eden Hazard është tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur. Sulmuesi belg që shkëlqeu me Chelsea, por jo me Real Madrid ka vendosur që të varë këpucët në gozhdë dhe të fokusohet te jeta e tij private.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Hazard, i cili prej kohësh ishte pa skuadër që pas ndërprerjes së kontratës nga Reali i Madridit. Shumë klube shfaqën interes për të, njëri prej tyre vetë Chelsea që kërkoi të rikthente legjendën belge në “Stamford Bridge”, por ai nuk pranoi.
Hazard ka luajtur mbi 700 ndeshje në karrierë, duke shënuar 211 gola dhe gjithashtu duke fituar 15 trofe, përfshirë një Champions League, dy Europa League, dy Premier League, dy La Liga dhe një Ligue 1.
“Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjeve të luajtura, vendosa t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist. Unë arrita të realizoj ëndrrën time, luajta dhe u kënaqa në shumë fusha në mbarë botën. Gjatë karrierës sime pata fatin e takimit me menaxherë, trajnerë dhe bashkëlojtarë të mëdhenj: faleminderit të gjithëve për këto momente të mrekullueshme, do të më mungoni të gjithëve”, nënvizoi Hazard në rrjetet sociale.
“Unë gjithashtu dua të falënderoj klubet për të cilat kam luajtur: LOSC, Chelsea dhe Real Madrid; dhe faleminderit RBFA për përzgjedhjen time në kombëtaren belge. Një falenderim i veçantë për familjen time, miqtë e mi, këshilltarët e mi dhe njerëzit që më kanë qenë pranë në kohë të mira dhe të këqija.
Së fundi, një falenderim i madh për ju, fansat e mi, që Ju më keni ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve dhe për inkurajimin tuaj kudo që shënova. Tani është koha për të shijuar të dashurit e mi dhe për të pasur eksperienca të reja. Shihemi së shpejti jashtë fushës miqtë e mi.”
()