Pamjet që shihni tregojnë vendin e ngjarjes në Sanxhak të Kurbinit, ku një banesë u bë objektiv i një sulmi me armë. Gazetari Elidon Ndreka ka siguruar për videon ku shihet shtëpia në pronësi të Skënder Likës. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Lika është një emër i njohur për policinë. Më 10 mars të këtij viti, shtëpisë së tij në Sanxhak të Kurbinit iu vendos tritol. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të shumta në banesë, por edhe në banesat përreth.
Ndërsa më 20 shkurt 2021, persona ende të paidentifikuar kishin vendosur në derën e banesës së Skënder Likës, 8 plumba.
Informacion paraprak
Në Sanxhak, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit S. L. dhe më pas janë larguar me një automjet. Nga të shtënat ka vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, si dhe vijojnë hetimet dhe krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore, për bllokimin e automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, me të cilin janë larguar autorët. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
()