Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski ka reaguar pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gruevski shprehet se akuzat për të cilat ai është vendosur në listë janë të pasakta dhe sipas tij vjen për shkak të sulmeve të George Soros.
Ai shton se ka punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare.
Deklarata e plotë e Nikolla Gruevski
Ajo që u publikua sot është folur prej kohësh. Zyrtarët e lartë në Maqedoni nuk e fshihnin në qarqe joformale se kishin vite që lobonin që të ndodhte kjo gjë.
Përpjekjet e mia shumëvjeçare për ta zgjidhur çështjen e emrit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që u zgjidh përfundimisht, vendimet që lidhen me krizën e emigrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanik në vitin 2016 dhe disa vendime të tjera për të mbrojtur shtetin dhe interesat e Maqedonisë kanë acaruar disa vende dhe kanë tërhequr shumë kundërshtarë, si George Soros, i cili bëri shumë përpjekje dhe grumbulloi fonde për të rrëzuar qeverinë që unë drejtova.
Më vjen keq për vendimin e Departamentit të Shtetit që u shpall sot dhe ndër të tjera më referohet mua.
Akuzat për të cilat unë jam në listë janë informacione të pasakta dhe kryesisht rrjedhin nga përndjekja e gjatë politike kundër meje në Maqedoni. Nga ky aspekt, edhe pse nuk kam asnjë pronë në SHBA, ndjej një padrejtësi të madhe, sepse kam punuar me shumë ndershmëri dhe me shumë përgjegjësi, duke luftuar për interesat shtetërore dhe kombëtare dhe jam përpjekur me aq sa kam mundur të mos i rrezikoj interesat e aleatëve të Maqedonisë.
Unë kurrë nuk kam punuar për përfitime personale financiare apo materiale. Unë do të vazhdoj të luftoj për të vërtetuar të vërtetën. Unë do të vazhdoj të luftoj për Maqedoninë.
— Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit jepeshin një sërë akuzash ndaj Gruevskit. “Nikola Gruevski (Gruevski) është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016.
Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari.
Gruevski përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete. I.C.I.C. KFT përcaktohet në zbatim të E.O. 14033 sepse është në pronësi të apo e kontrolluar nga Gruevski” – thuhej në njoftim.