Nga Enver Robelli
Javën që shkoi parlamenti danez miratoi ndërtimin e një “Ishulli të Energjisë” në Detin e Veriut. Ky ishull do të prodhojë energji elektrike nga era për 10 milionë amvisëri – katër herë më shumë se ç’numëron Danimarka amvisëri.
Rryma e pastër planifikohet të eksportohet në disa vende europiane. Ky projekt gjigant do të kushtojë 28 miliardë euro! Është projekti më i madh ndërtimor në historinë e Danimarkës dhe për nga rëndësia është krahasuar me zbarkimin e amerikanëve në hënë. Sot për këtë projekt shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
Javën që shkoi shkroi “The Guardian”.Njëri nga ideatorët e këtij projekti është inxhinieri shqiptar Fitim Kryeziu.
Në mediat sociale ai ka bërë të ditur se projekti filloi si ide më 2017 – tok me disa kolegë të tij. Kjo ide, shton Kryeziu, “na dukej utopi, por kjo s’na ndaloi të ndjekim këtë ide, e cila mendoj se do ta ndryshojë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen se si prodhohet dhe distribuohet energjia”.
Në etapën e parë të projektit do të instalohen 3 gigavatë (domethënë: energji për 3 milionë shtëpi), kurse në fund projekti do të ketë të instaluar 10 gigavatë.
“Kjo tregon se duhet të ndjekësh idetë edhe pse ato duken të vështira apo për dikë edhe të paarritshme”, shkruan Kryeziu.
“Ishulli i Energjisë” do të prodhojë energji nga viti 2030 (ose më së largu 2033).Danezët janë avangardë.
Më 1991 ata ishin të parët që nisën të prodhojnë energji nga era. Deri në vitin 2030 Danimarka planifikon të ulë për 70 për qind gazrat serrë, të cilat janë gazra të atmosferës së tokës që nuk lejojnë nxehtësinë të largohet nga atmosfera. Kështu dëmtohet ekosistemi.
February 8, 2021
“Një lajm i mirë nga Danimarka”, njerëzit tanë shqiptarë po shkëlqejnë kudo në Europë…
by gazetadrita