Sipas të përditshmeve të sportit, mësohet Bajern Mynih do të ketë edhe Nejmar kundër Levandovskit në super mbrëmjen e sotme.
Sigurisht që më mbrapa nuk mbetet as rivaliteti mes Mbape e Gnabri, por ajo mes brazilianit dhe polakut do të jetë një sfidë brenda sfidës, duke parë edhe eksperiencën më të madhe që këta dy futbollistë kanë akumuluar në karrierën e tyre.
Nëse Nejmar është asistmeni rekordmen historik i kompeticionit, me 24 të tillë, Robert Levandovski është golashënuesi më i mirë i sezonit në Champions (15 gola) dhe do provojë të barazojë, pse jo, të kalojë rekordin e 17 golave të Kristiano Ronaldos në 2013- 2014-ën, vit ku si për ironi të fatit, finalja e turneut luhej sërish në Lisbonë dhe pikërisht në stadiumin “Da Luz”.
Prandaj, dueli kokë më kokë mes Nejmarit e Levandovskit mund të jetë edhe ai që mund të vendosë fatin e finales, pasi këta dy fenomenë janë jo vetëm vrasës me topin në këmbë, por në të njëjtën kohë dinë edhe se si të luajnë dhe ndihmojnë shokët e skuadrës, për të arritur tek objektivi Champions.
NEJMAR – Braziliani e di se si fitohet një finale e Ligës së Kampioneve dhe madje të shënojë në të, siç bëri ndaj Juventusit, në vitin 2015, kur luante për Barcelonën. Pika e fortë e Nejmarit kundër Bajernit do të jenë driblimet, pasi në këtë statistikë “parisieni” nuk ka rivalë me 39 të tilla të kryer, por frymëzimi në finale pritet të jetë edhe më i madh. Madje, duke qëndruar në këtë aspekt, 28- vjeçari theu sivjet edhe rekordin e Lionel Mesit pas 12 vitesh, teksa vetëm kundër Atalantës, në 90 minuta të vetme kreu 16 driblime.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Nejmar, në finalen e “Da Luz”-it mund të bëhej futbollisti i tretë në botë që mund të shënonte në dy finale të Champions-it, me dy skuadra të ndryshme, pas Mario Manxukiçit (gol me Bajernin dhe Juventusin) dhe Kristiano Ronaldos (gol me Mançester Junajtidin dhe Realin e Madridit).
“Unë dhe Nejmar tashmë ndihemi më të kompletuar me njëri-tjetrin, si brenda, ashtu sikurse jashtë fushe. Sa më shumë që rritet bashkëpunimi ynë, aq më mirë i bën kjo PSG-së, sepse të luash me Nejmarin, një prej lojtarëve më të fortë në botë, është vërtet bukur, – shprehet Kilië Mbape, për shokun e repartit. – Madje, nëse të dy punojmë më shumë për skuadrën, siç bëmë ndaj Lajpcigut, për Bajernin do të jetë shumë e vështirë që të na ndalë”. Shkurt, Bajerni është i paralajmëruar…
LEVANDOVSKI – Pasi ka qenë lideri absolut në fitoren e Bundesligës dhe të Kupës së Gjermanisë, bomberi polak do kërkojë që të lërë gjurmën e tij edhe në finalen e nesërme, e cila do t’i dhuronte Bajernit tripletën e trofeve. Levandovski ka realizuar 55 gola sezonalë në 46 ndeshje, ndërsa në Champions shifrat e tij janë edhe më të frikshme: 15 gola në 9 ndeshje.
Madje, 32-vjeçari, i cili dy ditë më parë festoi ditëlindjen e tij, ka lënë firmën personale në 9 takime radhazi dhe më mirë se ai ka mundur të bëjë vetëm Kristiano Ronaldo, i cili mban rekordin me gol në 11 ndeshje radhazi. “Për mua është sulmuesi më i fortë në botë dhe shpresojmë që të vazhdojë kështu, – shprehet trajneri Hansi Flik për sulmuesin.
Nga Levandovski pres gol edhe në finalen ndaj PSG-së, sepse jo vetëm Bajerni ka nevojë për cilësitë e tij, por edhe vetë lojtari mund t’i pasurojë edhe më shumë statistikat personale në këtë sezon”. Dhe nëse mbesim te statistikat dhe duelet direkte me Nejmarin, të paktën sivjet, bavarezi jo vetëm ka shënuar më shumë se braziliani, por ka dhënë më tepër asiste dhe ka krijuar më shumë raste për gol. Por në finale, gjithçka do zerohet, ndaj sfida mes të dyve mund të quhet e hapur.