Eurodeputetët kanë propozuar një mori amendimesh në draftin e raportit të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për 2020. Pjesa më e madhe e tyre janë formale dhe teknikalitete, kryesisht përcaktimi e saktësimi gjuhësor, por nuk mungojnë amendimet që vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, sundimit të ligjit, dialogut politik dhe rëndësia që kanë zgjedhjet e 25 prillit në rrugën europiane të vendit tonë.
Në draftin fillestar të prezantuar nga raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos në vjeshtë thuhet se “Shqipëria ka bërë progres dhe ka plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”. Ky përkufizim propozohet që të ndryshohet nga ana e eurodeputetit të së djathtës holandeze, Peter Van Dalen.
“Shqipëria ka bërë pak përpjekje në rrugën e saj drejt BE-së dhe ende nuk ka plotësuar kushtet e vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, propozon ai.
I njëjti eurodeputet, vendi i të cilit bllokoi përcaktimin e një date për nisjen formale të negociatave bën një seri propozimesh të tjera, që nëse do të miratohen në formën e propozuar prej tij i japin ngjyra negative raportit.
Propozime të ngjashme përmes të cilave theksohet se Shqipëria, ose nuk i ka plotësuar, ose i ka plotësuar pjesërisht kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare janë bërë edhe nga eurodeputetët të tjerë të Parlamentit Europian anëtarë të Komitetit për Punët e Jashtme, si David Lega, Michael Gahler dhe David McAllister.
Amendimet e propozuara cekin edhe reformën zgjedhore. Eurodeputeti italian, Fabio Massimo Castaldo thotë se rekomandimet e vendosura nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet nuk janë plotësuar dhe kërkon që ky përcaktim të parashikohet në raportin e progresit si një detyrim për Shqipërinë.
Mes propozimeve ngrihet paralajmërimi i rrezikut të shpopullimit të vendit në rast anëtarësimi të plotë në BE, duke sjellë si shembull fenomenin që ndodhi me anëtarësimin e Rumanisë, Bullgarisë dhe të Polonisë.
Amendimet e tjera vënë theksin tek nevoja e dialogut politik, vazhdimi dhe përfundimi i reformës zgjedhore. Aty përshëndetet rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese, por kërkohet plotësimi i saj me 9 gjyqtarë dhe kërkohet edhe plotësimi sa më parë i Gjykatës së Lartë për t’u përballur me fluksin e dosjeve që flenë prej vitesh në këtë institucion.
Eurodeputetët u kërkojnë udhëheqësve politikë që të ngrenë një klimë besimi para zgjedhjeve të 25 prillit, duke kujtuar se këto zgjedhje do të jenë të një rëndësie të veçantë për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të vendit.
Pavarësisht se vetë Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë për ndryshimet e tetorit të Kodit Zgjedhor kërkon që të mos ndërhyhet më në këtë ligj para zgjedhjeve të 25 prillit, një amendim i propozuar nga eurodeputetët e djathtë, Michael Gahler dhe David Lega sugjeron që rekomandimet e Venecias të vihen në zbatim që në këto zgjedhje.
“…thekson rëndësinë për të zbatuar rekomandimet e Venecias sa i takon Kodit Zgjedhor të miratuar në tetor 2020, shpreh keqardhjen që këto ndryshime shkelin marrëveshjen e 5 qershorit 2020 dhe që Parlamenti shqiptar e kaloi legjislacionin e kundërshtuar pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të priste mendimin e Venecias. Bëjmë thirrje që rekomandimet kryesore të Venecias të adoptohen dhe zbatohen pa humbur kohë dhe para zgjedhjeve që po vijnë”, thuhet në propozim.
Këto janë propozime të moderuara, ndërsa nuk mungojnë amendimet e propozuara nga ekstremistët. Ata “shprehen” të shqetësuar në lidhje me objektivin e Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i BE-së.
“…shpreh shqetësimin mbi synimin e Qeverisë së Shqipërisë për t’iu bashkuar BE, sepse do të siguronte kushtet për një eksod madhor të qytetarëve që i duhen vendit për t’u zhvilluar në të ardhmen. Humbja e këtyre individëve do të minojë mundësitë që qytetarët shqiptarë të krijojnë në vendin e tyre një mjedis të zhvilluar financiar, demokratik dhe të pranueshëm”, propozon amendimi i eurodeputetëve Bernhard Zimniok, Thierry Mariani dhe Harald Vilimsky.
Përveç nënshkrimit të amendimit të propozuar më sipër, eurodeputeti francez, Thierry Mariani është edhe nismëtar i një amendimi tjetër, shumë herë më negativ për Shqipërinë.
“…nuk ka vend për Shqipërinë në Bashkimin Europian! Mundësia e anëtarësimit të Shqipërisë, një vend i karakterizuar nga krimi i organizuar endemik, burim emigrantësh ilegalë dhe një prej vendeve që ka numrin më të lartë të azil-kërkuesve në Francë do të kishte pasoja të dëmshme për qytetarët europianë”, thotë ai.