Edhe pse i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka apeluar këtë të hënë vendimin e dënimit të tij me dy vite burg. Përmes avokatit të tij mbrojtës, Llalla ka apeluar dënimin me argumentin se mbyllja në qeli do i sillte pasoja të rënda për shëndetin.
Apeli i GJKKO-së pritet të caktojë datën e seancës në të cilën do të vendosë nëse do lërë në fuqi vendimin e marrë apo do të pranojë kërkesën e ish-kryeprokurorit për pezullimin e dënimit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tashmë e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Adriatik Llallën.
Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Vetë ish-kryeprokurori ka braktisur Shqipërinë dhe është larguar jashtë vendit. Zyrtarisht asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër.