Ish-Kryeministri Fatos Nano, ka treguar një moment të vështirë politik gjatë karrierës së tij, që ka të bëjë me parandalimin e një shpërthimi në burgun e Tiranës.
Nano tregoi se teksa ishte duke ardhur nga Shkodra në Tiranë, kishte mësuar se ministri i Brendshëm i asokohe Neritan Ceka kishte braktisur detyrën.
Ai rrëfeu në emisionin “Opinion” se Ceka kishte dorëzuar çelësat e zyrës, pasi kishte menduar se do të rrëzohej shteti.
“Mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekjeje për të shpërthyer burgun e Tiranës siç ndodhi në Mars ‘98 tek situata në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të vjedhur armët. Do thuash kur ngele vetëm?
Në momentin që unë dhe Ndre Legisi që ishte sekretar i shtetit, po komunikonim pa ndërprerë telefonikisht për masat që duhej të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse FNSH ishin në Shkodër dhe u duhej 2 orë të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe mbi të gjitha ishin specialistë që njihnin planimetrinë e burgut dhe dinin të vepronin në këto lloj situatash.
Në orën 9 në mbrëmje, në një nga telefonat me Ndrekën, Ndreka më thotë: Neritani iku, ministri. Më dorëzoi telefonin dhe çelësat dhe më tha: Ika se ra shteti.
Dhe iku vërtet. Dhe unë vazhdova me Ndrekën derisa me ndihmën e radio “Kohës”, bëmë një fushatë diversioni pozitive në mes të të rebeluarve dhe e ndamë shapin nga sheqeri, derisa u kthen FNSH nga Shkodra.
Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit më merr Neritani, ministri dhe më thotë: E zgjidhëm ne situatën. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Nivelin e përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër”, theksoi Nano./