Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e raportuar në Bulqizë në datën 27 gusht, ku thuhej se një sasi ekspolizivi ka shpërthyer në makinën e Elton Debreshit, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Në lidhje me ngjarjen në fjalë, policia ka arrestuar vëllain e Debreshit, i cili dyshohet të jetë autori i vënies së tritolit.
Ndërkohë, hetimet kanë zbardhur të tjera detaje.
Mësohet se nisur nga dyshimet se i implikuar në këtë ngjarje, mund të ishte shtetasi Alfred Debreshi dhe për këtë shkak, me qëllim sigurimin e provave dhe dokumentimin e ngjarjes, është proceduar me përgjimin ambiental të bisedave të të dy vëllezërve.
Dhe nga përgjimet rezulton se shtetasi Alfred Debreshi, është person i implikuar drejtpërdrejt në këtë ngjarje, pasi në bisedat e tij, ai disa herë i drejtohet vëllait të tij, Eltonit, me fjalët: “më fute në burg, me q… nënën”, “e din se m’ke çu më burg o plak”, “na q… nënën mor burr”.
Po kështu gjatë bisedave ambientale të përgjuara, shtetasit Alfred Debreshi dhe Elton Debreshi, flasin për mënyrën se si ato e kanë deklaruar ngjarjen përpara policisë dhe janë shumë të shqetësuar pasi deklarimet Alfredit nuk përputhen me faktet e tjera të deklaruara prej tyre.
Ata planifikojnë mënyrën se si duhet të deklarojnë më pas rreth ngjarjes, për faktin e fshirjeve të disa bisedave telefonike të cilat sipas tij mund t’i implikojnë si dhe për faktin se për shkak të implikimit do mbeteshin pa shkuar në Gjermani.