Ylli Manjani ka firmosur peticionin online të krijuar ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim.
Në peticion thuhet se ambasadorja Kim është sjellë në mënyrë jo diplomatike dhe ka ndërhyrë në mëyrë të paprecedentë duke prishur ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare.
“Po, jam dakord”, shkruan Manjani, i cili shpeshherë ka reaguar ashpër ndaj ambasasdores Kim, pas akuzave të saj ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Më poshtë teksti i peticionit:
“Ambasadorja Kim, Mjaft është Mjaft!”
Kohët e fundit kemi parë me shqetësim sjelljen jo-diplomatike dhe ndërhyrjet e paprecedenta të Ambasadores të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim në ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare.
Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar.
Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikano-Shqiptare, shikojmë me trishtim se imazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dëmtuar edhe për shkak të ndërhyrjeve brutale të znj. Kim në çështjet e brendshme të vendit në të cilin gjithsesi ajo është një mysafire.
Demokracia Amerikane që vazhdon të mbetet ëndrra e modeli i shumicës dërrmuese të shqiptarëve të cilët i lidh me SHBA një ndjenjë e thellë mirënjohjeje e partneriteti, na mëson që asnjë qytetar me dinjitet nuk duhet të pranojë këtë lloj trajtimi dhe “diplomacie”!
Përveç të tjerave ky stil “diplomatik” nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA!
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë që mendon se rruga drejt demokracisë nuk kalon nga makinacionet e intrigat por vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe verdiktit të shumicës të na bashkohet në reagimin qytetar për dinjitet duke firmosur peticionin: “Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough”.
Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim t’i përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare!
Ne kemi bindjen se vetëm një diplomaci korrekte ndihmon demokracinë tonë dhe frenon dëmtimin e mëtejshëm të imazhit të SHBA-së tek shqiptarët, të cilët sot e kësaj dite e konsiderojnë atë tempullin e lirisë dhe demokracisë”.